“Though plain the man”
PROF. DR. MENTOR PETRELA
Patriarku i psikiatrisë shqiptare, Anastas Suli, u shua shpejt nga Covidi. I paqtuar me veten, u largua siç e përshkruan Xhojsi në epikletin e tij “The Dead” te Dublinasit. Humbja e mikut është e rëndë, mungesa e tij shumë më e rëndë. Diskutimi, rrëfimi, analiza mbi njerëzit e shoqërinë, jetën, pak kam njohur si Ai.
Këtë privilegj e humba dhe nuk ka të ngjarë të përsëritet. Karakteristikat kryesore të Tij, dinjiteti, mirënjohja, respekti, dikush mund t’i shtonte frika. Jo, të dashur, këtë të fundit Ai nuk e ka pasur, pasi ishte impulsiv ndaj padrejtësisë njerëzore. Të qenit psikiatër në kohën e komunizmit nuk ishte një rol i lehtë si mund të pretendohet tani që injorohet ose kujtesa e ka fshirë, por ne si shoqëri vazhdojmë ta vuajmë. Kemi ndryshuar, jeta ecën, është si dita, kur vjen nata shoqëria shqiptare vazhdon të flejë në shtratin e mendësisë që trashëgoi nga komunizmi e që shpresojmë një ditë do ta ndërrojmë. Si paraardhësit e Tij të nderuar, Xhavit Gjata, Ylvi Vehbiu, Nestor Polimeri, që jetuan atë periudhë e heshtën, por jo nga injoranca, por nga gulagu, ata së bashku u detyruan të kapërcenin publikisht evolucionin e psikiatrisë moderne.
Me rënien e komunizmit iu desh në detyrën e drejtuesit të psikiatrisë e të neuroshkencave të riorientonte konceptet e psikiatrisë së çliruar tashmë. Detyrë e vështirë didaktike që e realizoi me kolegët amerikanë e britanikë, ndaj të cilëve ishte i hapur, si nga orientimi familjar, nofka e merituar “xhaxhain e ka në Amerikë”, ashtu dhe nga etja ku burimi i anglishtes së përkryer ia shuante etjen për lirinë e mendimit, aq e domosdoshme për ne shqiptarët. Psikiatrinë e fëmijëve e ngriti ku duhej, si Frojdi e përkufizonte, “analizo fëmijërinë dhe të tregoj çfarë je, ç’mund të bëhesh e pse nuk bëhesh”. Autizmin, pasionin e Tij, e ngriti aty ku duhej në Shqipëri. Insistonte në faktorin ekzogjen si shkaktar i rritjes së numrave, por arsyet e mosdeklarimit të shkaktarëve mbeten për t’u gjykuar në të ardhmen më tepër si pasojë e raporteve përfitimrrezik të të gjithë faktorëve të ambientit të ndryshuar tashmë.
Ky ishte konkluzioni i Tij, nga informacionet shkencore. I ngazëllyer dy-tri javë më parë më tregonte në ekranin e celularit “shiko kaloi faza e dytë e studimit, u aprovua nga FDA medikamenti për Alzheimer, funksionon në 28 për qind të pacientëve në faza fillestare duke penguar evolucionin e sëmundjes Shpëtuam! Do shkojmë në Tufinë së paku me mend në kokë”. Thotë një filozof italian “invidia medicorum” zilia mjekësore, fragment i komendamentit të fundit të Moisiut për qenien njerëzore, nuk e kishte atë sindrom, nuk e kam dëgjuar njëherë të flasë keq për paraardhësit e Tij, përkundrazi përshtypjeve fiktive të ndokujt. Fat i madh që më ka qëlluar në jetë, melhem i vërtetë, se nuk gjej fjalë tjetër ta përshkruaj.
Detyrë e vështirë të kthesh timonin e psikiatrisë klasike të përpunuar “në art” nga paraardhësit e Tij që mundoheshin ta modernizonin, por me frikën që në çdo moment mund të përballeshin me ajsbergun ideologjik e ta pësonin si Titaniku. E realizoi me tekstet që përktheu nga anglishtja me rezistencë të pandalshme në riorientimin drejt psikiatrisë perëndimore në një shoqëri postkomuniste.
Psikiatrit amerikanë, miq që kam pasur rastin t’i njoh, flinin me muaj në shtëpinë e Tij. Për kuriozitet, kur pyeta njërin prej tyre që kishte qenë shef në Harward nëse preferonte hotelin duke ditur mundësitë e tij m’u përgjigj “më mirë të qëndrojë në shtëpinë e Dr.Sulit se nuk mërzitem”. Një herë darkuam me Henry Marshin, neurokirurgun britanik, dhe vazhdimisht pyeste si është miku juaj psikiatër. Distanca nga të dashurit e Tij e pezmatonte, por mbeti i kthjellët, e rrallë për moshën, i ndërgjegjshëm nuk di sa do të rezistojmë thoshte. Nuk ndante librin, sa e vërtetë mund të jetë, por ndihmon në 30 për qind ngadalësimin e plakjes së trurit, duke tretur mendimin dyshues tek gjenetika. Në një nga udhëtimet u gjendëm në Ujë të Ftohtë përballë Leklit, fshatit të Tij, vështrim melankolik, ku përfshihej keqardhja që impononte emigracioni në atë terren të thyer, ku mundësitë e subzistencës ishin të pakta e ku përziheshin bukuritë natyrore të qershorit të fundit.
Terreni i ashpër, përrallor në kanionet e Nivicës që nuk i kishte parë kurrë aq afër vendlindjes, e kthyen në mendime. Në tetorin e shkuar në bregun e Borshit u krodhëm në det, notoi me gjithë sëmundjet shoqëruese jo pak të rëndësishme dhe në fund të fundjavës, në shoqërinë e dy miqve, u rrëfye: “Kam të dashurit e mi në Amerikë, por më lini të vdes këtu”. Nuk e mundi Covidi Atë. I rrethuar me dashuri e kujdes nga Sofika, dy vajzat, familja, të afërmit e miqtë, jetoi i lumtur. Në epitafin e tij do të shkruaja fjalët e Kiekergaard: “Though plain the man”.