Fri, Nov 22, 2024

“Maratonomaku” Kimish me statistika jashtëtokësori: Si e fika PSG-në, mentaliteti i Realit më frymëzon

  • PublishedFebruary 17, 2023

Triumfi i Bajernit në transfertë përballë Parisit do të shkaktonte mjaft diskutime, aq sa të pranohej nga një grup i gjerë analistësh se bavarezët janë ekipi numër një për t’u thyer në Ligën e Kampionëve. Edhe pse shumë shpresonin se Mbape-MesiNejmar do të “luanin” me djemtë e Nagelsmanit, një tjetër personazh do të merrte frerët e takimit dhe suksesit nga kampi i miqve, fjala është për Joshua Kimish.

Mesfushori 27-vjeçar ishte vendosur në pozicion më të avancuar dhe pikërisht kjo manovër do t’i jepte lirinë e duhur për të vepruar si elektron i lirë. Loja me topa të shpejtë nga thellësia dhe ajo në zona të ngushta u prishi gjithë mekanizmat difensivë vendësve, ndonëse ÇupoMoting dhe shokët e repartit ofensiv nuk i shfrytëzuan saktësisht.

Statistikat e tij vijnë nga një tjetër planet, 102 kontakte me topin, 91% e saktësisë, 11 nga 12 pasime të gjata me sukses, kapiten dhe lider i vërtetë në fushë. Dikur të dhëna të tilla i përkisnin rivalin në përballje, Lionel Mesit, megjithatë në këto raste stafeta ka ndryshuar. Paraqitja fantastike e Joshuas do të shkonte deri në Meksikë, aty ku “Invictos” do ta përshkruante si “ekuilibrues të jashtëzakonshëm”. Përfundimi i sfidës do t’i jepte mundësi Kimishit të zbërthente se nga buron gjithë ky kreativitet dhe supremaci.

Kapiteni Kimish-”Në Paris luajta me profil më ta avancuar dhe ky rreshtim më dha mundësitë të jem vetvetja në dhurimin e topave drejt fazës ofensive. Pozicion mes mbrojtëse s’më mundëson liri veprimi dhe më bën të jem i izoluar brenda asaj kornize mbrojtëse, ndërsa në duelin e fundit unë u vendosa përballë linjës me tre mbrojtës. I kuptoj shumë mirë manovrat e shpejta nga krahët e shokëve dhe nuk dua të humbas kohë me kthimin e topit në mënyrë mekanike.

Krijimi i rasteve të tilla është primar në nisjen e sulmeve të rrezikshme. Në futbollin e sotëm duhet të tregohesh mjaft i pjekur në menaxhimin e energjive dhe përkthimin e tyre në efikasitet. Reali Madridin e përdor si shembull në çdo situatë, pasi ata dëshmojnë rezistencë dhe nuk dorëzohen kurrë”, përfundoi kapiteni i ri i Bajernit për revistën “France Football”.