Gjykata e Posaçme i kalon shtetit një pjesë të pasurive të Arben Isufajt
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 3 maj se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur pranimin e pjesshëm të kërkesës për konfiskimin e pasurive të Arben Isufajt, i njohur ndryshe dhe si “Ben Qimja”. Më 6 tetor 2021, me kërkesë të SPAK u sekuestruan pasuritë e Isufajt në Fier, bazuar në procedimin pasuror sipas ligjit të quajtur ‘Antimafia’ të filluar pas referimit pasuror të dërguar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.
Hetimi pasuror u krye pasi ka rezultuar se Isufaj është hetuar nga autoritetet e huaja për veprat penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe organizatat kriminale.
Atëherë u sekuestruan një pulari, pjesë e shoqërisë tregtare “ISUFAJ 2001” me seli në fshatin në Grizë-Patos; 33% e kuotave të kapitalit të Shoqërisë “AKILI ALB” SHPK, me fushë veprimtarie në prodhimin, tregëtimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe të fidanëve frutorë; subjekti “ISUFAJ-2004” SHPK me veprimtari në fushën e ndërtimit; truall me sipërfaqe 3289 m2 në qytetin e Fierit; ‘tokë pa frut’ me sipërfaqe 14 mijë m2 në Hasturkas-Fier; dy ngastra ‘tokë arë’ në vendin e quajtur Sheq i Madh në Fier me sipërfaqe 1467 m2 dhe 5600 m2; si dhe 6 automjete, 2 të llojit Audi, tre Mercedes Benz dhe një Daimler Chrysler.
Po ashtu, gjatë operacionit të policisë “Forca e Ligjit” u sekuestruan tre pasuri të tjera të familjes Isufaj – dy njësi në lagjen Sheq i Madh dhe një njësi tjetër në pallatin e quajtur “Kupola” në Fier.
Ndërkohë, me vendimin e datës 30 janar 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pularisë; 33% të kuotave të kapitalit të Shoqërisë “AKILI ALB” SHPK; truallin me sipërfaqe 3289 m2 në Fier; pasurinë e llojit “tokë pa frut” me sipërfaqe 14 mijë m2 në Hasturkas-Fier; një ngastër tokë-arë me sipërfaqe 1467 m2 në lagjen Sheq i Madh në Fier; si dhe gjashtë automjetet, dy të llojit Audi, tre Mercedes Benz dhe një Daimler Chrysler.
Prej pasurive të sekuestruara në 2021-in, gjykata ka shmangur nga konfiskimi shoqërinë e ndërtimit “ISUFAJ-2004” sh.p.k. dhe një një ngastër toke 5600 m2 në vendin e quajtur Sheq i Madh në Fier. Në njoftimin e SPAK sqarohet se ky vendim ka marrë formë të prerë më 13 prill 2023.
Arben Isufaj ka një të kaluar kriminale në shtetin italian dhe është dënuar nga Gjykata e Torinos për trafik lëndësh narkotike. Ai u arrestua për t’u ekstraduar në Itali në mars 2014, por kërkesa e autoriteteve italiane u hodh poshtë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.
Sipas SPAK, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurive të shtetasit Altin Çuçaj, i dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale me qëllim prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, si dhe grup të strukturar kriminal, parashikuar nga nenet 284/a dhe 333/a të Kodit Penal.
Konkretisht, janë konfiskuar një truall me sipërfaqe 902 m2 dhe ndërtese me sipërfaqe 168 m2; truall dhe ndërtesë me sipërfaqe nga 105.6 m2; truall me sipërfaqe 500 m2 dhe ndërtese me sipërfaqe 183 m2; truall me sipërfaqe 151 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 62 m2 – të gjitha të ndodhura në Vlorë, si dhe pesë automjete.