Fri, Nov 22, 2024

Në shkelje të Kodit: Celibashi urdhëron heqjen e posterave elektoralë

  • PublishedMay 4, 2023

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi urdhëroi të mërkurën heqjen e posterave elektoralë të subjekteve zgjedhore, të cilat nuk janë prodhuar në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

Vendimi u mor pasi subjektet zgjedhore injoruan një urdhër të mëparshëm të KQZ-së për t’u vendosur materialeve të tyre propagandistike shënimin identifikues.

“Ne do të urdhërojmë të hiqen të gjitha materialet propagandistike të kujtdo subjekti zgjedhor, që nuk përmbajnë shënimin ‘prodhuar nën përgjegjësinë ligjore’ të subjektit zgjedhor përkatës,” tha Celibashi.

“Do të urdhërohet policia bashkia dhe ajo e shtetit për t’i hequr këto materiale menjëherë. Kjo vlen për 61 bashkitë dhe të gjitha subjektet,” shtoi Celibashi.

Çështja e posterave elektoralë që kanë mbushur rrugët e Tiranës dhe të bashkive kryesore të vendit u rikthye për herë të tretë për shqyrtim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas një denoncimi të datës 18 prill të organizatës KRIIK, që vërente se posterat elektoralë të Partisë Socialiste nuk ishin në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Këtyre materialeve u mungonte shënimi “prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të Partisë Socialiste”.

Përfaqësuesit e koalicionit Bashkë Fitojmë u ankuan edhe për dendësinë dhe përmbajtjen sipas tyre denigruese të këtyre posterave – por shqyrtimi i çështjes mbeti në kufijtë e shkeljes formale të Kodit.

Më 25 prill, komisioneri Celibashi la tre ditë kohë afat për vendosjen e shënimit identifikues nga subjektet zgjedhore, por nga verifikimi në terren rezultoi sërish se ky vendim nuk ishte zbatuar në të gjitha rastet.

Në mbledhjen e së mërkurës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve u shpreh i vendosur dhe i la afat policisë deri mesnatën e së premtes për të raportuar mbi zbatimin e vendimit.