ONM rekomandon ankimin në Kolegj të prokurorit e Tiranës! Dyshime për burimet e pasurisë dhe…
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM u kërkoi Komisionerëve Publikë më 2 maj që të ankimojnë vendimarjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Naim Tota.
Tota u konfirmua në detyrë prej Komisionit me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko.
Anëtari në pakicë, Roland Ilia kërkoi shkarkimin e Totës, duke çmuar se ai nuk kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë. Sipas Ilias, subjekti nuk dha shpjegime bindëse lidhur me një apartament të blerë nga kunati në vitin 2016 nëpërmjet një kontrate cedimi, pasuri për të cilën u ngritën fillimisht dyshime se ishte fshehur për 12 vjet, pasi ishte përdorur vetëm nga prokurorit Tota prej vitit 2004.
Ilia nuk e vlerëson bindëse përgjigjen e subjektit se lidhja e posaçme familjare; fatkeqësia familjare në vitin 2006 kur i ndërroi jetë bashkëshortja e ndjerë; si dhe huadhënia e shumës 40 mijë euro kunatit, ende e pashlyer – janë arsye të përfitimit në vitin 2004 dhe gëzimit të kësaj banese pa kundërshpërblim, për 12 vjet.
Po ashtu, Ilia ndryshe nga shumica, çmon se subjekti nuk arriti të provojë aftësinë paguese të kunatit për të blerë këtë apartament në vitin 2003, kundrejt vlerës 50 mijë euro që po aq pagoi edhe Tota në 2016-ën, duke mos e përmbysur dot barrën e provës të ngritur gjatë hetimit paraprak.
Lidhur me këtë pasuri, ONM vëren se i afërmi i subjektit, megjithëse ka paguar një vlerë të konsiderueshme në vitin 2003, nuk e ka përdorur dhe nuk ka pasur përfitime nga kjo pasuri. Po ashtu, ONM nuk ndan të njëjtin qëndrim me shumicën lidhur me konkluzionin se, familja e blerësit kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për pagesën e çmimit të kësaj pasurie në vitin 2003.
ONM konkludon se poseduesi dhe pronari defacto i kësaj pasurie që prej vitit 2004, ka qenë subjekti i rivlerësimit. “Situata faktike e vitit 2016 ishte vetëm legalizimi formal i transferimit të pasurisë që ishte e tij për 12 vjet”, konsaton ONM dhe kërkon që kjo situatë të konsiderohet në vlerësimin e përgjithshëm në lidhje me cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Në vijim, ONM vlerëson se Tota nuk arriti të përmbysë barrën e provës lidhur me vërtetimin e burimit të ligjshëm të një huaje 400 mijë lekë të marrë prej bashkëshortes së ndjerë nga motra e saj, me qëllim investimin në shoqërinë ku punonte, prej nga më vonë subjekti ka përfituar një vlerë prej 40 mijë eurosh. Për rrjedhojë, ONM vlerëson se nëse konsiderohet ky fakt, mund të rritet bilanci negativ i përgjithshëm i konstatuar gjatë periudhës 2003-2016. Në rekomandim kërkohet një analizë financiare e hollësishme.
Sipas ONM, subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën veting pjesët takuese të fëmijëve në pasuri të trashëguara nga nëna e gjyshërit.
Lidhur me aspektin profesional, ONM vlerëson se në vendimin e KPK-së për çështjet e këtij kriteri, mungon arsyetimi i duhur. Në rekomandim thuhet se nuk është e qartë se si Komisioni ka arritur në përfundmet e paraqitura në vendim, lidhur me çështjet e profesionalizmit.
ONM arrin në përfundimin se shqyrtimi i duhur i të gjithë elementëve të konstatuar ka shumë të ngjarë të rezultojë me shkarkimin e prokurorit Naim Tota dhe u rekomandon Komisionerëve Publikë që të ushtrojnë ankim në këtë rast./BIRN