450 herë në stol, Pioli: Me Lacion, përballje vendimtare
Pankina numër 450 për Stefano Pioli në Serinë A ishte ajo ndaj Kremonezes.
Pavarësisht situatës, ai kuqezi sot ndaj Lacios do të bëhet trajneri i shtatë që e kalon këtë kufi në periudhën që fitorja në Serinë A vlen tri pikë. Sidoqoftë, në mendjen e 57-vjeçarit është vetëm ndeshja e sotme në orën 15:00, e këtë e konfirmoi edhe në konferencën për shtyp.
A është e detyrueshme fitorja me Lacion?
Është një ndeshje vendimtare dhe një etapë shumë e rëndësishme, pasi nga tani e deri në fund na duhen sa më shumë pikë. Kritikat ndaj nesh janë deri diku pa kuptim, pasi rrotacioni nuk është rastësor dhe unë e di se ç’bëj.
Përse Milani juaj ka kaq shumë vështirësi me ekipet e vogla?
Pas ndalesës për kombëtaret, kemi barazuar disa ndeshje të cilat kishim mundësi shumë të mëdha që t’i fitonim. Janë të paktën 3-4 sfida që kemi lënë pikë, pasi kemi dominuar përgjatë gjithë ndeshjes. Më të mëdhatë nuk kemi bërë keq, gjithashtu e uroj t’i përsërisim ndaj Lacios.
Po problemet për të shënuar si i shpjegoni?
I njoh lojtarët e mi dhe e di se janë në gjendje të mirë. Kanë cilësi për të shënuar e për t’i fituar ndeshjet. Thjesht kemi nevojë për më shumë vendosmëri dhe saktësi përpara porte. Sidoqoftë, jam besimplotë.
Ju kanë dërguar ndonjë mesazh drejtuesit?
Shumica janë çdo ditë të pranishëm në stërvitje, por edhe po të mos ishin e njohim njëri-tjetrin dhe mbështetja nuk mungon kurrë. E dimë fortë mirë rëndësinë e ndeshjeve të majit.
Përse të rinjtë si De Ketelare sivjet kanë vuajtur kaq shumë?
Secili prej të rinjve ka cilësi për të thënë fjalën e tij brenda kësaj skuadre. Shpesh nuk ia kanë dalë të imponohen me lojën e tyre, por të gjithë e dinë se duhet dhe duan të japin më tepër. Sa për De Ketelaren, nuk ka nevojë ta mbrojë unë. E shoh çdo ditë dhe mund të them se ka shumë cilësi të cilat ka për t’i shfaqur.
Si është morali i skuadrës?
Jemi mirë dhe aspak me moral të ulët. Vullneti dhe përqendrimi në përditshmëri nuk kanë munguar, pastaj është normale që pak mërzi prej rezultateve të ketë. E gjitha kjo, sepse edhe pritshmëritë e gjithkujt janë të larta.
A mund të ndikojë ndeshja me Lacion për atë pasardhëse me Interin?
Jo, sepse janë dy turne të ndryshme dhe ndaj Interit kanë për të qenë dy ndeshje fantastike edhe sepse nuk ndodh çdo vit të mbërrish në gjysmëfinalet e Champions-it. Për momentin mendja jonë është te Lacio. Është e dyta në renditje dhe ka pasur vrull pas eliminimit nga Europa. Nga ana jonë do të nevojitet një provë e nivelit të lartë.