Amir Rrahmani, mbrojtësi … i pazëvendësueshëm i Napolit
Amir Rrahmani është një nga intuitat më të rëndësishme që ka pasur në karrierën e tij Kristiano Xhuntoli, në vitet e fundit.
Kur Napoli vendosi ta blejë atë për të zëvendësuar një shtyllë dhe një legjendë të prapavijës si Raul Albiol, në janar të vitit 2020, qendërmbrojtësi kosovar kishte vetëm disa muaj në Serinë A. Hellas Verona e kishte blerë në verën e 2019-ës nga Dinamo Zagreb dhe do ta mbante në skuadër në dritaren e merkatos së dimrit, por papritur vjen mundësia e madhe. Rrahmani firmos dhe mbërrin në Napoli me një detyrë më se të vështirë: në vitin e parë ndante rolin e titullarit me Maksimoviçin, ndërsa në sezonin e dytë nisi të qepë këmishën e titullarit në trup duke bindur të gjithë për shpenzimin që kishin bërë për të.
Në tre vite në Napoli dhe me mbi 90 paraqitje për një lojtar me rendiment shumë konstant, Amir Rrahmani u konfirmua shpejt se ishte një element ku mund të besojë verbërisht, duke qenë se ofroi garanci, fillimisht si shpatulla perfekte e Kulibalisë, ashtu sikurse sivjet supi i përsosur i Kimit, për një prapavijë kampione. Rrahmani mbërriti në Itali vetëm në moshën 25-vjeçare. Ishte një zbulim i drejtorit të atëhershëm, Toni d’Amico, i cili e bleu atë nga Dinamo e Zagrebit për pak më shumë se dy milionë euro dhe më pas e rishiti te Napoli, disa muaj më vonë, për rreth 14 milionë. Më parë një karrierë e gjatë që filloi në vendlindjen e tij, në Kosovë, më pas nisi në Shqipëri dhe Kroaci, mes Partizanit, RNK Splitit dhe Lokomotivës së Zagrebit.
Dinamo e Zagrebit e bleu në vitin 2017 dhe i dha vitrinën e duhur për ta shitur më pas në Itali, në atë Seri A ku karriera e Rrahmanit padyshim mori hov. Spaletti nuk ka bërë kurrë pa të në fushën e lojës për dy vite me radhë dhe Rrahmani e ka shpërblyer me një vazhdimësi paraqitjesh të denja për Albiolin më të mirë. Së shpejti 30-vjeçari (i feston në shkurtin e vitit të ardhshëm), Amir Rrahmani shpejt do të marrë shpërblimin e radhës në karrierë… Ai do të nënshkruajë një kontratë të re deri në vitin 2027 me një opsion që mund ta lidhë me Napolin deri në fund të karrierës.