Bashkia e Tiranës, si po e “hipotekon” të ardhmen me ndërtime, për të mbledhur para sot
Është e dukshme se Bashkia e Tiranës ka “hipotekuar” të ardhmen e kryeqytetit për të vjelë më shumë para sot. Që nga viti 2018, kur filloi dhe bumi i ndërtimeve, të hyrat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë kanë zënë peshën kryesore në totalin e taksave që mbledh vetë Bashkia, me mbi 40%. Të paktën deri në 2025, vrulli i ndërtimeve nuk pritet të ndalet, teksa kryeqyteti pritet që të vijojë të ketë varësi të lartë nga ndërtimet, për të siguruar pjesën më të madhe të buxhetit. Në fakt, hapësira në Tiranë po mbaron dhe brezat e ardhshëm do të përballen me më shumë trafik, më pak mjedise të gjelbra dhe më shumë kulla, ndërsa më pas, për të ruajtur nivele të larta të të ardhurave, Bashkia mund të detyrohet që të rrisë taksa të tjera, si ato të pronësisë, apo për bizneset.
Në vitin 2022, Bashkia e Tiranës kishte të ardhura prej rreth 24 miliardë lekësh, sipas të dhënave ende paraprake të saj (të dhënat përfundimtare për buxhetin 2022 nuk janë ende publike).
Kjo shifër është më se dy herë më e lartë sesa në 2016-n. Rreth 65-70% e të ardhurave vijnë nga taksat e tarifat dhe pjesa tjetër, nga transfertat nga pushteti qendror.
Fondet që ka pasur në dispozicion Bashkia e Tiranës janë rritur ndjeshëm që nga viti 2016, për dy arsye. Së pari, pushteti qendror ka shtuar transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara.
Së dyti, vetë Bashkia ka mbledhur më shumë të ardhura nga taksat dhe tarifat.
Të ardhurat e veta të Bashkisë ishin rreth 15 miliardë lekë në 2022, gati dy herë më të larta se në 2016-n. Por, është e dukshme se Bashkia e Tiranës ka “hipotekuar” të ardhmen e kryeqytetit për të vjelë më shumë para sot.
Që nga viti 2018, kur filloi dhe bumi i ndërtimeve, të hyrat nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë kanë zënë peshën kryesore në totalin e taksave që mbledh vetë Bashkia, me mbi 40%, sipas të dhënave të Co-Plan.
Kësaj takse u nënshtrohen të gjitha subjektet, që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e të tjera.
Edhe në vitin 2024 dhe 2025, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit, sipas relacionit të projektbuxhetit 2023, pothuajse në nivelet e të ardhurave të 2020-2022, kur u dhanë deri në 2 milionë metra katror leje ndërtimi
Referuar vlerësimeve të drejtorisë përgjegjëse pritet që ecuria e arkëtimit për vitin 2023 të jetë nën nivelin e viteve të fundit dhe do të jetë në rritje në vitet në vazhdim, sipas relacionit.
Kjo për arsye se të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të mbështeten kryesisht në zhvillimet e reja që pritet t’i shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Vrulli i lartë i ndërtimeve pritet të vazhdojë
Edhe në vitin 2024 dhe 2025, vrulli i ndërtimeve pritet të vazhdojë, teksa Bashkia parashikon rreth 6.2 miliardë lekë të ardhura për secilin vit, sipas relacionit të projektbuxhetit 2023, pothuajse në nivelet e të ardhurave të 2020-2022, kur u dhanë deri në 2 milionë metra katrorë leje ndërtimi
Sipas relacionit të Bashkisë, fokusi në të ardhmen pritet të jetë zhvillimi i Tiranës policentrike, me disa qendra.
“Jemi duke zhvilluar Organizimin e Tiranës në disa qendra kryesore dhe dytësore, të cilat do të ndihmojnë në procesin e dendësimit, me anë të përdorimit të zgjuar të tokës dhe shpërndarjes së funksioneve dhe shërbimeve të njëjta në të gjithë territorin.
Ky prioritet ka në qendër krijimin e 5 epiqendrave urbane për kapërcimin e dyzimit qendër-periferi dhe për të nxitur zhvillimin e balancuar të qytetit.
Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qytet Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka janë polet e parashikuara për t’u zhvilluar nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të Planeve të Detajuara Vendore që do të sigurojnë rivitalizimin dhe forcimin e identiteteve sipas karakterit të çdo poli”, thuhet në relacion.
Pas taksës së infrastrukturës, peshën më të lartë në të ardhurat e veta të Bashkisë e zë taksa mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesat), me rreth 13% të totalit.
Ndonëse është rritur ndjeshëm në vite, pesha e saj mbetet e ulët për shkak të zgjerimit më të fortë të të ardhurave që merren nga dhënia e lejeve të ndërtimit.
Në nivele të ngjashme me pasuritë e paluajtshme janë dhe taksat që mblidhen nga gjelbërimi, ndërsa tarifa për zënien e hapësirës publike sjell rreth 5% të totalit.
Sipërfaqja e lejeve në kryeqytet arrin rekord në 2022
Ritmi i ndërtimeve në kryeqytet ka vijuar me ritme të larta në vitin 2022 dhe kjo tendencë pritet të vijojë.
Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katrorë.
Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat e detajuara, sipas qarqeve.
Rekordi u shënua në tremujorin e parë 2022, kur u dhanë leje për një sipërfaqe prej 800 mijë metrash katrorë, duke u përgjysmuar në të dytin (388 mijë m²) dhe duke u reduktuar ndjeshëm në të tretin (272 mijë m²).
Në tremujorin e katërt, sipërfaqja e dhënë u rrit sërish dhe arriti në rreth 350 mijë metra katrorë.
Në total, në Tiranë, për gjithë vitin 2022 u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.
Në vlerë, ndërtimet në Tiranë vlerësohen nga INSTAT rreth 63 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro (Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike).
Rreziku
Hapësira për të ndërtuar sa vjen e po ngushtohet, Tirana është mbushur me beton, por sërish shpresa për vjeljen e të ardhurave, të paktën në afatin e mesëm, mbetet te lejet e ndërtimit. Edhe për sa mund të vazhdojë Bashkia e kryeqytetit të shpresojë që të vjelë të ardhura nga “shitja” e sipërfaqes për ndërtim?!
Raporti i Financave vendore, një projekt i CoPlan që monitoron financat lokale, ka theksuar se, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash, sidomos të asaj të infrastrukturës për ndërtimet e reja.
Kjo tendencë, sipas Financave vendore, sinjalizon për varësi të lartë të buxhetit vendor dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj.
Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.
Sipas CoPlan, zbatimi i planeve të përgjithshme vendore, nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ka kontribuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime, si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.
Në fakt, hapësira në Tiranë po mbaron dhe brezat e ardhshëm do të përballen me më shumë trafik, më pak mjedise të gjelbra dhe më shumë kulla, ndërsa më pas, për të ruajtur nivele të larta të të ardhurave, Bashkia mund të detyrohet që të rrisë taksa të tjera, si ato të pronësisë, apo për bizneset.
Ku po shkon Tirana?!
Hapësira për të ndërtuar sa vjen e po ngushtohet, Tirana është mbushur me beton, por sërish shpresa për vjeljen e të ardhurave, të paktën në afatin e mesëm, mbetet te lejet e ndërtimit. Edhe për sa mund të vazhdojë Bashkia e kryeqytetit të shpresojë që të vjelë të ardhura nga “shitja” e sipërfaqes për ndërtim?!
Shpenzimet e personelit, në rritje të ndjeshme, ulen ato kapitale
Që nga viti 2015, shpenzimet për pagat e personelit janë rritur ndjeshëm në Bashkinë e kryeqytetit. Ato arritën në gati 7 miliardë lekë në vitin 2022, dy herë më të larta se në 2016.
Në dy vitet e fundit, pesha e tyre është rritur në rreth 30% të totalit të shpenzimeve, nga 25-27%, që ishte më parë.
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023, numri i punonjësve që pritet të punojnë në Bashki është 6,437, nga të cilët 1,639 në Aparatin e Bashkisë dhe të tjerët në institucionet mbështetëse.
Përveç tyre ka dhe 1,894 punonjës në funksionet e pakushtëzuara sektorialë, duke e çuar në total në 8,331.
Shpenzimet kapitale u rritën me shpejtësi deri në vitin 2020, por në 2021 u konstatua rënie e ndjeshme e tyre, pothuajse përgjysmim, e ndikuar nga reduktimi i fondeve për infrastrukturën. 11% e shpenzimeve totale të bashkisë shkuan për infrastrukturën, 25% për strehimin dhe komoditetet e komunitetit (Zhvillimi i Strehimit – Urbanistika; Zhvillimi i Komunitetit – Shërbimet Publike; Furnizimi me ujë) dhe 17% për arsimin.
Për vitin 2022, nuk ka ende të dhëna për ecurinë faktike të shpenzimeve kapitale.
Rajoni bazohet më shumë te taksa e pronës dhe tarifat
Modeli i kryeqytetit shqiptar, që po siguron pjesën më të madhe të të ardhurave nga dhënia e lejeve të ndërtimit, që nuk mund të vazhdojë pa fund, duket unik.
Rajoni bazohet kryesisht në të ardhurat nga taksa e pronës, që zënë rreth 30% të të hyrave të veta dhe nga tarifat për shërbimet e ndryshme.
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Shkupit, 27% të totalit të të ardhurave (përjashtuar grantet) vijnë nga taksat e pronës, sipas realizimit të buxhetit faktik 2018.
Tatimet për shërbimet specifike sjellin 54% të totalit.