“Është koha të bëjmë kthesën”, Atdhe Rashiti: I shënoj Partizanit, fati do të na buzëqeshë ne
Atdhe Rashiti është lojtari i fundit që ka shënuar gol me Kukësin, pikërisht para katër ndeshjesh në sfidën me Tiranën, por që për fat të keq e humbën. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi pranon problemet që ka skuadra me gjetjen e golit, por thekson se po përpiqen t’i riparojnë. Ai shpreson që të shënojë edhe ndaj Partizanit dhe t’i japë fitoren skuadrës.
“Në ndeshjet e fundit na ka munguar fati, pavarësisht punës së mirë që ka bërë trajneri së bashku me lojtarët. Sa i përket mungesës së golave mund të them që ne luajmë pak poshtë dhe sulmuesit detyrohen që të zbresin deri në mesfushë për të marrë topat. Gjithashtu, kemi pasur pak probleme nga krahët, me trajnerin, që po punon shumë në stërvitje për t’i eliminuar dhe gjetur zgjidhje. Unë gjithmonë jam aty, luftoj dhe jap maksimumin për skuadrën. Goli është pasqyrë e lojës së gjithë ekipit dhe pa ndihmën e të gjithëve nuk e arrin dot. Jam gjithmonë i gatshëm të shfrytëzoj shanset për të shënuar dhe them se ndaj Partizanit do të shënoj”, u shpreh fillimisht sulmuesi i Kukësit.
PARTIZANI Në vijim, Rashiti u ndal edhe te sfida me Partizanin, ku ai beson se diferencat janë të pakta, ndaj me fatin pas vetes do të marrin atë që kërkojnë.
“Në kampionatin që po luajmë, diferencat janë minimale dhe ne po merremi me përmirësimin e lojës sonë, jo me Partizanin. Ata kanë cilësitë e tyre dhe ne tonat. Nuk kemi asnjë presion në ekip dhe mendoj se fati kësaj here do të jetë me ne”, theksoi Atdhe Rashiti.
MBIJETESA Sa i përket mbijetesës, sulmuesi nuk e vë në diskutim dhe kanë besim se në këto pesë ndeshje të mbetura do të bëjnë kthesën ne drejtimin e duhur.
“Jo, jo, aspak. Ne kemi të gjithë besim në vetvete dhe do ta kthejmë fatin në anën tonë. Janë edhe pesë takime dhe po punojmë të bëjmë kthesën në drejtimin e duhur. Në këto pesë finale do t’ia dalim”, u shpreh autori i tre golave këtë sezon me verilindorët.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL