Fri, Nov 22, 2024

Transferta me Egnatian, Shensoi karikon skuadrën: Me 15 pikë në lojë ia dalim

  • PublishedMay 6, 2023

Bylisi luan sot një “finale” për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në Superiore.

shensoi

Skuadra ballshiote arriti të merrte një fitore në fazën e dytë në Rrogozhinë dhe sot do të kërkojë të përsërisë suksesin, por me ndryshimin që gjen një Egnatia shumë më të fortë. Trajneri Naxhi Shensoi nuk e fsheh zhgënjimin e humbjes me Laçin në Ballsh një javë më parë, por sipas tij, është momenti që skuadra të bëjë kthesën sot në 14:00 ndaj Egnatias.

“Humbja e fundit me Laçin na ka pezmatuar të gjithëve për mënyrën se si erdhi dhe natyrisht që ka ndikimin e vetë në aspektin psikologjik. Kishim raste, por që të shënosh, duhet të kesh edhe fatin me vete. Na ka munguar me Laçin, por edhe në shumë ndeshje të tjera, që kur unë jam trajner i Bylisit. Por, ne kemi punuar shumë që të mos ia lëmë fatin në dorë. Do të luftojmë për të kthyer gjithçka në favorin tonë.

Gara është e gjatë dhe ne duhet që të bëjmë më të mirën tonë, sepse janë 15 pikë në lojë dhe ndoshta kjo strukturë dhe ngushtësia që kanë ekipet me njëra-tjetrën, na bën të shpresojmë dhe besojmë te mbijetesa. Sigurisht, duke u bazuar te puna qe bëjmë, kushtet që kemi dhe financat, i kemi mundësitë t’ia dalim. Shpresoj që të na kthehet edhe pak fati, sepse në këtë moment kemi më shumë nevojë se kurrë. Luajmë në Rrogozhinë, një klub që ka shumë cilësi në sulm. Janë ekip vërtet i fortë në çdo aspekt, por ne do të bëjmë lojën tonë duke respektuar kundërshtarin. Duam që t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë, kështu që do të futemi në fushë me më të mirët. Mund të bëjmë edhe ndonjë ndryshim në formacion”, ka thënë dje Shensoi për “Panorama Sport”.