EKSKLUZIVE/ “Duamena më i forti në Superiore”, Atanaskoski: Golin e prita gjatë, gati për Tiranën (E PLOTË)
EKSKLUZIVE/ “Duamena më i forti në Superiore”, Atanaskoski: Golin e prita gjatë, gati për Tiranën (E PLOTË)
8 May, 2023
8 May, 2023
David Atanaskoski ishte një nga më të mirët në fushë në fitoren e Partizanit me shifrat 3-1 ndaj Kukësit, që i futi të kuqtë edhe një herë në “vorbullën” e titullit.
Mbrojtësi i majtë shënoi golin e përmbysjes, duke çuar shifrat momentalisht 2-1. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 26-vjeçari tregon emocionet e golit të parë si i kuq dhe rrëfen më shumë rreth asaj çfarë pret në këtë fundsezoni.
Morët një fitore me shumë vlerë për titullin kampion. Sa ju gëzon ky triumf?
Jam shumë i lumtur për fitoren. Ishte tejet e rëndësishme për ne dhe jemi shumë të kënaqur që kemi marrë tri pikët.
Çfarë i thatë njëri-tjetrit në momentin që Kukësi shënoi dhe kaloi në avantazh?
Po, pësuam një gol të shpejtë, por arritëm të qëndrojmë të qetë dhe vazhduam me të njëjtin ritëm. Ne besuam tek aftësitë e njëri-tjetrit dhe vazhduam të zbatonim si duhet udhëzimet e trajnerit.
Goli juaj i parë me fanellën e Partizanit. Si ndiheni që vini në këtë moment të sezonit?
Po, është goli im i parë për Partizanin dhe jam i lumtur që më në fund e realizova. Kisha shumë kohë që e prisja këtë moment. Ky gol do të thotë shumë për mua, sepse qëlloi që të ndihmoja skuadrën në një ndeshje shumë të rëndësishme.
Tirana do të vijë në derbi pa tre lojtarë kryesorë. Sa besoni që mund të fitoni dhe të plotësoni një përmbysje të madhe?
Tirana është një skuadër shumë e fortë, por ne jemi Partizani dhe të gjithë e dimë se çfarë do të thotë kjo. Ne do të punojmë fort për derbin. Kemi kohë të mjaftueshme dhe shpresoj se do të arrijmë të marrim një rezultat pozitiv.
Çfarë ju tha Kolela pas ndeshjes? Mund të na zbuloni ndonjë detaj?
Trajneri na komplimentoi të gjithëve dhe na tha se është shumë i kënaqur për paraqitjen e skuadrës.
Sa i kënaqur jeni me atë që keni bërë në këtë sezon?
Gjithnjë kam punuar fort për t’u përmirësuar sa më shumë. Në fillim nuk kam luajtur shumë minuta, por tani ndihem mirë. Po jap maksimumin në çdo stërvitje dhe ndeshje dhe në fund duket se gjithçka po paguhet.
Si ju duket futbolli shqiptar? Çfarë niveli është?
Është në një nivel shumë të mirë dhe ka skuadra shumë të forta. Infrastruktura është shumë e mirë. Stadiumet janë në kushte shumë të mira. Shqipëria është në rrugë të mbarë për t’u bërë një ligë e niveleve europiane.
Kush është lojtari më i rrezikshëm që keni pasur përballë në këtë sezon?
Ka disa lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi, por mund të veçoj një prej tyre si më të vështirin. Deri më tani mendoj se ka qenë Duamena i Egnatias. Ai është i fortë, i shpejtë dhe shumë teknik.
Kontrata juaj me Partizanin përfundon në verë. Do të donit të vazhdonit me të kuqtë?
Po, kontrata ime po përfundon, por tani nuk po mendoj rreth kësaj. Jam i fokusuar te këto katër ndeshje të mbetura për të arritur qëllimin tonë, që është titulli kampion. Më pas do të bisedojmë me klubin. Unë jam i lumtur te Partizani, kështu që le të shohim çfarë do të ndodhë në fund të sezonit.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL