Thu, Apr 10, 2025

KLGJ vendos të verifikojë gjendjen shëndetësore të gjyqtarit Sami Ujkashi

  • PublishedMay 8, 2023
Këshilli i Lartë Gjyqësor dështoi të hënën kryente sërish seancën dëgjimore në lidhje me procedimet disiplinore të nisura nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë ndaj gjyqtarit Sami Ujkashi, pasi ky i fundit kishte sjellë raport të ri pamundësie për arsye shëndetësore, por nuk kishte caktuar avokat siç i ishte kërkuar.

Përfaqësues të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që ka nisur tre procedime ndaj Ujkashit, i kërkuan KLGJ-së të hënën që të caktonte avokat kryesisht dhe të vijonte me shqyrtimin e dosjeve.

Duke iu referuar shtyrjeve të herëpashershme të seancave dhe mos caktimit të një avokati, Besnik Maho një prej përfaqësuesve të ILD-së i tha Këshillit se procesi po zvarritej. Duke iu referuar subjektit ai tha se atij i ishte dhënë mbi pesë herë mundësia për të caktuar avokat dhe nuk e ka shfrytëzuar. “Ky është proces publik dhe askush nuk mund ta mbajë peng”, tha Maho në seancë.

Por pasi diskutoi me përfaqësuesit e inspektorit mbi bazën ligjore për caktimin e avokatit kryesisht, KLGJ nuk u shpreh për këtë kërkesë. Pas konsultimeve me dyer të mbyllura KLGJ njoftoi se do të kryente një verifikim të gjendjes shëndetësore të Ujkashit dhe aftësisë së tij për të marrë vendime, duke iu referuar raporteve të njëpasnjëshme mjekësore.

Seancat dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës së Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Kukësit, Sami Ujkashi, kanë filluar më 1 dhjetor 2022, por ai ka mundur t’i shtyjë seancat dëgjimore në KLGJ përmes paraqitjes së raporteve mjekësore.  Konkretisht, janë shtyrë seancat e datave 22 dhjetor 2022; 19 janar 2023; 13 shkurt 2023; 6 mars 2023, 5 prill 2023 dhe seanca e të hënës 8 maj.

Ndaj Ujkashit ILD ka paraqitur kërkesa për masa disiplinor për tre çështje të ndryshme. Hetimet kanë filluar për shkelje të legjislacionit material, shkelje disiplinore me dashje, si dhe cënim të imazhit të magjistratit dhe të besimit tek sistemi i drejtësisë. Në dy prej procedimeve ILD kërkon veç e veç pezullim nga detyra për dy vjet, ndërsa në një procedim tjetër kërkohet marrja e masës vërejtje publike.