Komisioneri Publik ankimon konfirmimin për gjyqtarin Laurent Fuçia
Institucioni i Komisionerëve Publikë njoftoi të martën më 9 maj ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia. Ankimi është kryer nga Komisioneri Florian Ballhysa, bazuar në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM. Ballhysa i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të shqyrtojë shkaqet e ngritura në aspektin profesional dhe në përfundim të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Fuçia me argumentin se ky subjekt rivlerësimi gjendet në kushtet e papërshtatshmërisë profesionale dhe në atë të cënimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë nga KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritursa në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme dhe në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta. Për rrjedhojë, në vlerësimin tërësor të kriterit të vlerësimit të aftësive profesionale, në përfundim u konkludua se Fuçia është i aftë profesionalisht.
Por ONM dhe Komisioneri Publik vlerësojnë ndryshe dhe çmojnë se vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do t’i japë bazë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rrëzojë vendimin e Komisionit. ONM kërkoi rishikim gjyqësor për të gjithë shtyllën e vlerësimit të aftësive profesionale.
“Komisioneri Publik vëren se mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit. Çështjet e analizuara në funksion të kriterit të vlerësimit profesional, gjetjet e të cilave lidhen me ankesa dhe kërkesa të përsëritura të palëve në proces, krijojnë kushtet e klimës së pandëshkueshmërisë në sytë e publikut të një funksionari të sistemit të drejtësisë”, shprehet Ballhysa në ankim dhe kërkon shkarkimin e Fuçisë.