Sat, Nov 23, 2024

KQZ propozon sanksione për kryebashkiakët e Kamzës dhe Elbasanit

  • PublishedMay 9, 2023

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi shqyrtoi të martën denoncimet për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, duke i propozuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosjen e sanksioneve administrative për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli dhe atë të Elbasanit, Gledian Llatja si dhe zyrtarë të tjerë vendorë.

Kryebashkiaku i Kamzës, Suli, u gjet me shkelje për përdorim të burimeve publike për fushatë elektorale, pasi ka përdorur faqen zyrtare të bashkisë në Facebook për fushatën e tij si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Ndërsa kryebashkiaku i Elbasanit, Llatja u denoncua se kishte përdorur aktivitete publike si; inspektim punimesh për investimet e Bashkisë, për të bërë fushatë politike. Në këto inspektime kishin qenë të ftuar deputetë të PS-së, të cilët kishin bërë thirrje politike në mbështetje të kandidaturës së Llatjas për të rimarrë detyrën e kryebashkiakut.

Të dyja denoncimet në KQZ janë bërë nga organizata KRIIK.

Në bashkinë e Beratit u denoncua nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” përdorimi i faqes zyrtare në facebook të Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” si medium për shpërndarjen e postimeve politike për kandidatin socialist, Ervin Demo. Celibashi vendosi të propozojë sanksion administrativ ndaj drejtorit të qendrës dhe urdhëroi fshirjen e postimeve politike.

Komisioneri po ashtu propozoi masa administrative për personin përgjegjës për raportim në bashkinë Devoll për një aktivitet të zhvilluar në ambientet e një gjimnazi publik, pasi nuk ishte raportuar në KQZ si veprimtari publike.

Për dy aktivitete të kryera më herët se sa koha e raportimit në KQZ në bashkinë Cërrik u propozua gjobë për personin përgjegjës.

KQZ pushoi hetimin administrativ për disa denoncime të tjera që kishin po ashtu si objekt përdorimin e burimeve publike për fushatë elektorale nga kryebashkiakët socialistë që rikandidojnë në zgjedhjet e së dielës.

Raporti i monitoruesve të KQZ-së për periudhën 2-8 maj kishte konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor nga subjektet politike me hapje zyrash pranë qendrave të votimit dhe me afishimin e materialeve propagantistike në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Celibashi shtyu për mbledhjen e ardhshme vendimmarrjen mbi gjetjet e monitoruesve në terren dhe denoncimet e reja të ardhura nga subjektet zgjedhore dhe organizatat e shoqërisë civile.

Të hënën, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të gjobisë në masën 100 mijë lekë ndaj 15 kryebashkiakëve për përdorimin e faqeve zyrtare të bashkive në Facebook për promovimin e fushatës elektorale të kandidatëve socialistë.