PD, PSD dhe Partia e Lirisë, ende pa komisionerë në shumë qendra votimi
Partitë që nuk kanë dërguar numrin e plotë të anëtarëve të QV-ve janë Partia Demokratike, e cila nuk ka dërguar propozime për 422 QV, Partia Socialdemokrate (PSD) për 415 dhe Partia e Lirisë për 75 QV.
“Nëse partitë politike që e kanë këtë të drejtë do të dështojnë për të sjellë propozime, do t’i kalojnë partisë që ka të drejtë të të njëjtit spektër politik. Nëse dështojmë, atëherë do t’i emërojmë kryesisht,” tha Celibashi.
Para se KQZ të marrë masa për t’i plotësuar komisionet e qendrave të votimit me anëtarë që kanë aplikuar pranë Komisioneve Zonale Zgjedhore, e drejta për anëtarët e PSD-së do t’i jepet Partisë Socialiste si parti aleate, ndërsa anëtarët e PD-së mund t’i marrë një parti tjetër e opozitës, Partia e Lirisë ose Partia për Drejtësi, Unitet dhe Integrim.
Celibashi tha se janë 600 aplikime pranë KQZ-së për komisionerë potencialisht për t’u emëruar.
Proceset e mëparshme zgjedhore kanë treguar se partitë politike nuk i plotësojnë afatet ligjore për emërimet e komisionerëve ose i zëvendësojnë ata deri në mëngjesin e ditës së votimit.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Indrit Sefa, i tha BIRN-it se janë degët vendore të partisë që i çojnë propozimet dhe se kështu kishte ndodhur gjithmonë. “Tre ditë para dërgohen,” tha Sefa.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi të martën një aplikacion të ri, nëpërmjet të cilit çdo qytetar mund të raportojë problematikat që vëren në qendrën e tij të votimit, ditën e zgjedhjeve.
Celibashi tha se aplikacioni do të shërbejë si platformë komunikimi mes KQZ-së dhe komisioneve zgjedhore për të raportuar mbi ecurinë e procesit të votimit dhe procesit të numërimit të votave.