“Rruga Qafë Plloçë-Qukës, s’ka përfunduar edhe pas 12 vitesh”, Berisha: Rama i tmerruar nga 14 maji. Ministrat e tij janë sulur me presione dhe…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot takimin e radhës në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Pogradecit.
Në fjalën e tij Berisha u shpreh se kryeministrit Edi Rama i intereson vetëm vjedhja e qytetarëve, ndërsa është ndalur tek rruga Qafë Plloçë- Qukës e cila nuk ka përfunduar edhe pas 12 viteve.
Ai shtoi se Rama është i tmerruar nga rezultati i 14 majit, ndaj ministrat e qeverisë po bëjnë presione për të ndikuar tek qytetarët.
“Kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të padenjë për një njeri të civilizuar. Ky vend nuk ka njohur kurrë ndonjëherë një përfaqësim më të shëmtuar të një force politike si kësaj radhe Rilindja me Ramën.
Kandidatët e tyre pasi kanë vjedhur qytetarët refuzojnë ballafaqimin në mënyrë kategorike, sepse nëse dalin para jush do duhet të tregojnë xhepat e kontot që i kanë me paratë që ju kanë vjedhur ju.
Si mund të dalë kandidati i mazhorancës këtu përballë Tollozhinën kur ka mbushur bashkinë me hajdutë dhe vjedhur edhe ndihma, kur merr shoferin e emëron drejtor të Ujësjellësit.
Demokratë merrni portretin e tij dhe stamposeni me citimin “Wanted”, kërkohet, në të katër anët e Pogradecit.
Sa për Ramën nuk ka një tjetër kryeministër në Europë që i ka varfëruar qytetarët e tij si ai.
24 mln euro rruga në autostradë. Rruga Qafë Plloçë-Qukës, akoma pas 12 vitesh nuk ka përfunduar. Në Trebinjë segmentet nuk puqen, nuk ka ndodhur kurrë. Por këta ndjekin kuotat e ndryshme, dhe shkurtimi i kohës që do të sillte rruga, e zgjatën për të vjedhur vetë.
Për Edi Ramën qëllimet më madhore të qeverisjet e tij janë të vjedhë taksat e qytetarëve e të udhëtojë me avionë. Nuk ia ndjen fare nëse ka qytetar në varfëri e mjerim. Duhej t’i ngelej kafshata e udhëtimi në fyt nëse do të mendonte.
Rama po dridhet, ministrat e tij janë dyndur në rrethe me presione”, tha ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–