“Bandat kriminale po paguajnë deri në 300 euro për një votë”, BIRN reportazh nga Lezha: Kandidati i opozitës mbështetet nga e gjithë PD
Të hënën në mëngjes kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu mbajti një takim me ekipin e basketbollit të ‘Besëlidhjes’, i cili gjatë këtij viti fitoi kupën e Federatës dhe u rendit nënkampion i Supër Ligës në basketboll për meshkuj.
Gjatë aktivitetit të organizuar në formatin e një ‘kafe mëngjesi’ në një resort buzë detit në zonën turistike të Ranës së Hedhun, kryebashkiaku socialist i cili garon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit, vlerësoi suksesin e sportistëve duke e përdorur si një metaforë për garën elektorale.
“Basketbolli është shembulli më i mirë që nëse një projekt merret seriozisht, nëse bëhemi të gjithë bashkë, rezultatet do të vijnë,” tha Ndreu, i cili premtoi rindërtimin e pallatit të sportit në Lezhë, investim për të cilin tha se ishte dakordësuar me qeverinë. “Sot njerëzit vlerësojnë veprat dhe jo fjalët,” shtoi kryebashkiaku socialist, duke e cilësuar investimin tek skuadra e ‘Besëlidhjes’ si një investim serioz.
Ndreu, një ish-zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, u zgjodh si kryebashkiak i Lezhës në vitin 2019 pa shumë vështirësi, pasi opozita i bojkoti zgjedhjet vendore. Këtë radhë përfaqësuesit e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Lezhë premtojnë se mazhoranca nuk do ta ketë të lehtë.
Edhe pse ankohen për përdordimin e administratës në fushatë zgjedhore dhe përfshirjen e krimit të organizuar në blerje vote, ata janë optimistë se kandidati tyre, doktor Pashk Gjoni do të shpallet fitues.
“Për Pjerin Ndreun është hera e parë që përballet me Lezhën dhe votën e lezhianëve,” tha Lindita Metaliaj, deputete e Partisë Demokratike. “Ndreu po përdor adminstratën publike dhe bandat kriminale për blerjen e votës,” theksoi ajo.
Lezha është një bashki e përbërë nga 10 njësi administrative. Numri i zgjedhësve të regjistruar në zgjedhjet vedore të së dielës është 90,517. Përveç garës për kryebashkiak, 20 subjekte politike garojnë për 41 mandate në këshillin bashkiak. Lezha është një bashki që shtrihet nga bregu i detit deri në male. Turizmi bregdetar është i zhvilluar kryesisht përreth qytetit të Shëngjinit. Zona e Ranës së Hedhun, e cila shtrihet në veri të vijës bregdetare të Shëngjinit, po zhvillohet me hotele, komplekse vilash dhe apartamente shumëkatëshe.
Ndreu i tha BIRN se synonte zhvillimin më tej të resorteve turistike dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi.
“Gjithë kjo zonë do të shkojë me filozofinë e një turizmi elitar, me resorte ‘five stars’”, deklaroi kryebashkiaku, ndërsa theksoi se trendi i emigrimit të fuqisë punëtore po kthehej në kah të kundërt, si rrjedhojë e rritjes së pagave.
“Ka probleme, por shumë po kthehen, sepse rrogat janë rritë shumë dhe fitimet janë rritë shumë,” theksoi Ndreu.
Ndërtimi i stadiumeve të reja dhe i infrastrukturës sportive është një lajtmotiv i fushatës së kryeministrit Edi Rama për zgjedhjet vendore, gjatë së cilës ai ka paralajmëruar votuesit të votojnë skudrën e Partisë Socialiste ose ndryshe do të humbasin financimet e qeverisë qendore.
Ekipi i basketbollit u rikthye në Lezhë pas një mungese të këtij sporti në qytetin verior të gjatë 25 vjet. Kryeministri Edi Rama, i cili në rininë e tij ka luajtur baketboll me ekipin e Partizanit, njihet si një dashamirës i këtij sporti.
Megjithatë, Ndreu i tha BIRN se shijet sportive të kryeministrit nuk kanë ndikuar në vendimin për rithemelimin e ekipit.
“Sporti është një aspekt që i ndihmon njerëzit të dalin nga rutina e përditshme dhe të kalojnë kohë më produktive” tha Ndreu, ndërsa shtoi se duke ndjekur ekipin e Besëlidhjes qytetarët harrojnë hallet dhe shkarkojnë streset e tyre.
“[Basketbolli] ka sjellë një prezencë të shtuar të lezhjanëve në pallat të sportit për të ndjekur ekpin dhe më shumë entuziazëm dhe dinamikë në jetën e tyre,” shtoi ai.
Rivali i Ndreut në garën për bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni është mjek ortoped me profesion dhe prej 32 vitesh anëtar i strukturave të Partisë Demokratike – e cila është e ndarë në dy fraksione pas shpalljes së liderit të saj historik, Sali Berisha si ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse garon nën siglën e kolacionit ‘Bashkë Fitojmë’, Gjoni gëzon mbështetjen e të gjithë PD-së, çfarë i rrit shanset e tij për t’u zgjedhur në krye të bashkisë.
“Në Lezhë kemi një kandidat të vetëm dhe jemi të unifikuar brenda partisë,” tha Metaliaj, duke rikujtuar se në vitin 2015, Partia Demokratike kishte fituar bindshëm në këtë bashki me më shumë se 5 mijë vota avantazh.
Sipas deputetes demokrate, fakti që Gjoni është zgjedhur nëpërmjet primareve të mbajtura brenda partisë për herë të parë, kandidatura e tij ka gjeneruar shumë entuziazëm prej votuesve të djathtë.
“Njerëzit ndjehen të vlerësuar që patën mundësi të zgjidhnin kandidatin e tyre, ndryshë nga përpara ku iu sillte një emër nga Tirana”, tha ajo.
Programi i Gjonit për bashkinë e Lezhës fokusohet kryesisht tek investimet në infrastrukturë për ta mbrojtur qytetin dhe zona rurale nga vërshimet e lumit Drin, planifikim më të mirë të territorit, nxitjen e prodhimit bujqësor, pastrimin dhe mirëmbajten e zonës bregdetare dhe zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit kulturor.
“Lezha ka mundësi për zhvillim e turizmit gjithëvjetor,” tha Gjovalin Gjeloshi, me profesion agronom dhe koordinator i opozitës. Sipas Gjeloshit një nga problemet e bashkisë, është mungesa e shërbimve në njësitë administrative dhe centralizimi i tyre.
“Njësitë administrative nuk kanë buxhet dhe kompetenca,” tha ai, ndërsa shtoi se kryebashkiaku i ri duhet të jetë ‘avokat i halleve të popullit.”
Ngjashëm me politikën, basketbolli është një lojë skuadre që luhet mes dy ekipeve, të cilat garojnë që ta fusin sa më shpesh topin në koshin e ekipit kundërshtar, duke mos thyer rregullat e lojës. Edhe fushata zgjedhore ka rregulla të mirëpërcaktura, por opozita ankohet se ato shkelen rëndom nga Partia Socialiste në pushtet, duke i dhënë një avantazh askpak sportiv kandidatit të saj për kryebashkiak.
Metaliaj deklaroi se përfshirja e administratës në fushatë është me koreografi, ndërsa ka indicje se bandat kriminale po paguajnë deri në 300 euro për blerje vote.
Deputetja demokrate pranoi se akuza të tilla ishin vështirë për tu faktuar nga opozita dhe i bërë thirrje organeve ligjzbatuese të hetonin, si dhe monitoruesve ndërkombëtar të OSBE-ODIHR të ishin prezent gjatë ditës së votimit.
“Pushteti vendor i ka dhënë bandave kriminale një udhërrëfyes si të ndikojnë, duke identifikuar familjet në nevojë për ti blerë votat” tha ajo. “Ne do ta mbrojmë votën me çdo mjet të ligjshëm,” përfundoi Metaliaj./BIRN
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–