KAS rrëzon sërish kërkesën e Partisë së Lirisë për numëruesin e katërt
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, rrëzoi të mërkurën për herë të dytë ankesën e Partisë së Lirisë për të marrë numëruesin e katërt në të gjithë Grupet e Numërimit (GNV), pasi Kolegji Zgjedhor e quajti të pavlefshëm vendimin e parë.
Kolegji shpalli të martën vendimin për ankesën e Partisë së Lirisë duke konstatuar “pavlefshmëri absolute” të vendimit të KAS-it, pasi ishte marrë pa shumicë votash për shkak të votimit 2 me 2 të katër anëtarëve të pranishëm.
Vendimi i zbardhur i KAS shpreh qëndrimin pro pretendimeve të Partisë së Lirisë nga anëtarët; Elvis Çefa dhe Ledio Braho dhe qëndrimet kundër nga Ilirjan Rusmalit dhe Elvin Lakos, të cilët votojnë për rrëzimin e ankesës.
Edhe pse pa shumicë votash, KAS kishte vendosur rrëzimin e ankesës duke u bazuar me arsyetimin e “mungesës së numrit të kërkuar të anëtarëve për vendimmarrje”, por ky arsyetim u quajt i paligjshëm nga Kolegji duke e detyruar KAS-in që të marrë një vendim të ri brenda 24 orëve.
Gjatë rishqyrtimit të ankesës, Partia e Lirisë pretendoi se i takon asaj numëruesi i katërt duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, i cili ndau me short mes saj dhe PDIU-së të drejtën e propozimit të numëruesit të 4-t, në 50 për qind të GNV-ve në gjithë vendin.
Vendimi i dytë i KAS të mërkurën e rrëzoi sërish ankesën e kësaj partie me shumicë votash pas një seance të gjatë debatesh, ku Partia e Lirisë kërkoi përjashtimin nga shqyrtimi i çështjes të anëtarit të KAS-it, Ilir Rusmaili.
Sipas përfaqësuesit ligjor të Partisë së Lirisë në KQZ, Ilir Kaziaj, anëtari i KAS-it ka interesa politike në vendimmarrje, pasi po kandidon për një pozicion të lartë publik që do të votohet në Kuvend. Ai po i referohej kandidaturës së Rusmailit për Avokat të Popullit, një proces i mbetur pezull në Kuvend për më shumë se 1 vit.
Rusmaili u mbrojt duke cituar Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjen mes partive politike në vitin 2020, që sipas tij, përcaktonin edhe partitë që u takonte e drejta për të propozuar numërues.
Kërkesa e Kaziaj u kundërshtua nga KAS me argumentimin se të gjithë anëtarët janë njerëz të ligjit dhe respektojnë ligjin.
Sipas Kodit Zgjedhor, grupet e numërimit përbëhen nga 4 anëtarë, ku nga 1 anëtar kanë dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, anëtari i tretë dhe i katërt caktohet nga partitë e vogla të mazhorancës dhe opozitës që kanë mbi 2 mandate deputetësh në Kuvend.
Por, Partia e Lirisë pretendoi se PDIU nuk mund të quhet parti opozitare pasi deputetët e saj janë deklaruar të pavarur dhe kanë mbështetur politikisht qeverinë dhe se për më tepër nuk po e ushtron të drejtën për të propozuar numërues.
PDIU, e cila garon e vetme në zgjedhjet vendore të 14 majit në nivel këshillash dhe vetëm në një bashki me kandidat për kryetar, i kundërshtoi këtë pretendime dhe kërkoi që të zbatohej ligji e t’i njihej e drejta si parti opozitare për të pasur numëruesit e saj.
PL dhe PDIU do të ketë mundësinë të propozojë anëtarë në 50 për qind të grupeve të numërimit në vend, duke e lënë kështu pa numërues në gjysmën e vendit koalicionin opozitar “Bashkë Fitojmë”, ku PL bën pjesë.