Zgjedhjet lokale/ “Është dashur ndërhyrja e KQZ për të ‘vënë rregull’”, Celibashi: Kushtet e garimit, të pabarabarta
Kryetari i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, ka komentuar fushatën zgjedhore të bërë deri tani nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, ai ka deklaruar se KQZ ka bërë ç’është e mundur që kushtet e garimit të jenë të barabarta, pavarësisht se e pranoi që diçka e tillë nuk mund të jetë e realizueshme në plotësi, pasi gjithmonë qeveria në pushtet është më e “privilegjuar”.
“KQZ ka përmbushur detyrimet që ka për t’i mundësuar votuesve siguri të integritet të zgjedhjeve dhe partive një garë në kushte sa më të barabarta, pasi nuk mund ta them që kushtet e garimit në mënyrë absolute janë të barabarta.
Ka pasur raste kur është dashur ndërhyrja e KQZ për të vendosur rregull sa i përket mënyrës si partitë politike kanë përcjellë fushatën e tyre.
Duhet të them që krahasuar me zgjedhjet e tjera ka një qasje më respektuese nga subjektet zgjedhore të Kodit Zgjedhor sa i përket fushatës.
Zhvillimi i takimeve elektorale, materialet propagandistike, kanë qenë në një respekt më të plotë të Kodit se në zgjedhjet e kaluara.
Vetë sistemi e realitetet ekonomike sociale e politike ndikojnë në krijimin e një klime jo plotësisht të barabartë. Partia që është në pushtet ka një lloj avantazhi dhe mundësi për një vizibilet më të madh e partitë të opozitës.
Megjithatë koha televizive e kryeministrit përfshihet në kohën televizive të fushatës së PS”, tha ai.
Celibashi foli edhe në lidhje me incidentet gjatë fushatës, referuar rastit të djeshëm në Fushë-Arrëz.
“Jam i sigurt që të gjithë ndajnë të njëjtin mendim që janë akte të dënueshme pasi janë në vlerësimin tim në shkelje të Kodit Penal dhe atribut i organeve të ndjekjes penale për të ndjekur këtë çështje”, tha ai.
Kryetari i KQZ foli gjithashtu edhe mbi rastet e raportuara për shit-blerje votash, ndërsa tha se inkurajon denoncimet, qofshin ato nga partitë politike apo individët.
“Akte dhe veprime që vijnë në shkelje të kodit penal. Meritojnë të adresohen në mënyrën më të përshtatshme të mundshme.
KQZ inkurajon denoncuesit, qofshin edhe përfaqësues të partive politike dhe të mbështesim veprimet e organeve të drejtësisë”, tha ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–