Presidenti Begaj pret në Tiranë homologun polak: Bashkëpunimi ekonomik larg mundësive mes dy vendeve
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda ka mbërritur sot në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ai u takua me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj, ku pas bisedës, dolën edhe në një konferencë për mediat.
“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë. I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19. Me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve. Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë”, tha Begaj.
Sipas tij “Si dy vende anëtare të NATO-S Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional. Vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe. Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë. Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor. Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Begaj.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–