“S’dublon struktura, është konform statutit”, Zogaj për Këshillin Euroatlantik të PD: Diskutime në shërbim të vendimeve të drejta, gjuha politike në fushatë…
Pak ditë më parë kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj lançoi krijimin e Këshillit Euroatlantik të kësaj force politike. Kryetari i këtij këshilli, Preç Zogaj deklaroi për News24 se me krijimin e kësaj strukture nuk cënohet statuti i PD-së, pasi është krijuar konform tij.
Ai tha se Këshilli Euroatlantik të PD është krijuar për të dhënë mendime, opinione, këshilla dhe qëndrime të filozofisë euroatlantiste që t’i shërbejnë kësaj Partie për të mos lejuar vendimmarrje të personalizuara apo dhe të njëanshme që vinë në kundërshtim me frymën perëndimore.
“PD kishte nevojë në këtë periudhë për një organ këshillimor. Unë dhe disa të tjerë, me një lidhje shpirtërore dhe karriere në kohë të caktuara me PD u përgjigjen kësaj thirrjes. Këshilli synon që të ndihmojë për të promovuar identitetin euroatlantik të PD, të vlerave të së djathtës, jo vetëm në programe, por mbi të gjitha në komunikim, ligjërim e qasje. Kjo duke shmangur sa të jetë e mundur vendimet e personalizuara, dhe të njëanshme të liderëve që kanë pasur pasoja në jetën politike të kësaj partie. Këshilli as mund të dublojë , as të shmangë organet statuore të PD.
Ai është medium mendimesh, formohen sugjerime që i vihen në dispozicion PD-së. Ka shumë monolog në jetën publike dhe politike në Shqipëri. Personazhet publike flasin më shumë me vete se sa me të tjerët. Këshilli synon që të jetë një zë i lirë, i njerëzve të lirë. Këshilli është ky forum i njerëzve të lirë që në momentet kur e sheh të arsyeshme, në dritën e principeve, kundërshton vendime që mund të jenë të personalizuara. Nuk dublon asnjë strukturë të PD, është në konform të statutit. Është krijuar ma merr mendja, në këtë periudhë zgjedhore nga kryetari Alibeaj sepse zgjedhjet zhvillohen në tre nivele. Janë vendore, politike. Liderët kanë eklipsuar kandidatët. Por janë dhe zgjedhje të natyrës gjeopolitike. Zgjedhësit janë ftuar që të votojnë dhe për orientimin. Me kë jemi ne? Kush është me ne? SHBA-të po na shohin dhe BE, bota në tërësi po na sheh si po reagojnë njerëzit në dritën e ngjarjeve që po përjeton Shqipëria. Këshilli është i hapur, ka nisur që të funksionojë me një ekip prej 11 vetash. Kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë dhe dy figura të njohura që kanë lidhje shpirtërore me PD. Të tjerë do të afrohen. Ka filluar të funksionojë dhe si forum. Ne kemi shprehur dje shqetësimin tonë si forumi euroatlantik, rreth një fenomeni që ka rënë shumë në sy, që është kushtëzimi i votës së qytetarëve nga ana e kryeministrit dhe e bashkëpunëtorëve të ngushtë me investimet që propozon qeveria.
“Duhet të votoni PS që të merrni investime”, shprehje që është e padëgjuar dhe në kundërshtim me standardet demokratike. Që përbën një cënim në bosht të demokracisë. Kemi shprehur shqetësimin tonë për rastet e shitblerjes së votës dhe frikës se këto raste do të vijnë duke u shtuar. Këto raste do të damkosnin zgjedhjet në Shqipëri, si zgjedhje- farsë. Shit-blerja e votës është gangrenë në Shqipëri, që ka cënuar rëndë kuptimin e zgjedhjeve të lira. Si këshill kërkojmë nga organet ligjzbatuese që të ndërhyjnë sipas ligjit. U bëjmë thirrje qytetarëve të mos të shesin votën. Shitja e votës është pasqyra e vetë individit që e shet”, theksoi ai.
Po ashtu Zogaj analizoi dhe gjuhën e përdorur në fushatën elektorale, ndërsa theksoi se fyerjet dhe bullizimet janë në vazhdën e një tradite te keqe.
“Gjuha e përdorur është në atë hullinë e tradite e vjetër. Siç është bullizimi i kundërshtarit, apo fyerjet, sharjet. Kolonë zanore e shëmtuar që na shoqëron nga një pale zgjedhje të tjetra. Tregon se sa vite e dritë larg kulturës demokratike dhe standardet të sjelljes demokratike jemi. Ky stil komunikimi provokohet reciprokisht. Këto personazhe nuk e ndryshojnë dot më këtë gjuhë. Gjuha është dhunti, dhe jo mësim, por është kulturë. Ne jemi shumë larg. Edhe në Kosovë nuk e shohim këtë mënyrë komunikimi”, u shpreh ai.