KQZ propozon sanksione për 5 ministri dhe 2 kryebashkiakë
Sanksionet lidhen me denoncimet e organizatës KRIIK për përdorimin e faqeve zyrtare të të bashkive dhe ministrive në facebook për shpërndarje sloganesh politike të PS-së me hashtaget #kurrëmbrapa #vetëmpërpara.
Hetimi administrativ i KQZ-së ka verifikuar përdorimin e këtyre hashtagëve në publikime apo ripostime të faqeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Shëndetësisë e Çështjeve Sociale, Ministrisë së Financave e Ekonomisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Shtetit për Standardet dhe Sipërmarrjen. Ministria e Mjedisit dhe Turizmit i shpëtoi sanksionit pasi sipas KQZ nuk ishte konstatuar ekzistenca e hashtageve me përmbajtje politike gjatë verifikimit.
Celibashi tha se “Jemi përpara shkeljes administrative, propozoj sanksione dhe urdhër për fshirjen e mesazheve politike”.
Kryebashkiaku i Kamzës sanksionohet për herë të dytë për shpërdorim të burimeve publike në fushatë duke përdorur faqen zyrtare të bashkisë për promovimin e aktiviteteve të tij politike si kandidat i PS-së për zgjedhjet e së djelës.
Institucionet publike dhe titullarët e tyre kanë injoruar urdhërin e datës 6 maj të Komisionerit Celibashi që kërkonte fshirjen e menjëhershme të çdo postimi apo ripostimi me karakter elektoral nga faqet zyrtare të institucioneve në platformën “Facebook” apo të çdo mjeti tjetër elektronik (media sociale).
Urdhëri qartësonte se “përbën shpërdorim të burimeve publike vënia në dispozicion e faqeve zyrtare në “Facebook” apo çdo mjeti tjetër elektronik (media sociale) të institucioneve publike për publikimin e postimeve të cilat përmbajnë hashtagë (#), slogane me karakter politik/elektoral në zgjedhje, apo thirrje për mbështetje në zgjedhje nga ana e këtyre institucioneve”.
Ndërkohë, KQZ amnistoi titullarët e ministrive nga sanskionimi për përdorimin e faqeve të facebook-it me emrat e tyre për fushatë politike, pasi u konsideruan si faqe personale.
KQZ pushoi procedimin administrativ ndaj Agjencisë për Media dhe Informacion në varësi të kryeministrit për një denoncim me të njëtin objekt, pasi agjencia kishte lajmëruar KQZ-në se kishte qenë një gabim njerëzor dhe postimi me përmbajtje politike ishte fshirë.
Pranë KQZ-së u denoncua dhe fushata e kamufluar që Kryeministri dhe ministrat po bëjnë me takimet me stafet mjekësore të spitaleve rajonale ku flasin për rritjen e pagave të tyre.
Denoncimi i KRIIK i referohej takimit të fundi të kryeministrit Edi Rama, Zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ministres së Shëndetësisë, Olgerta Manasterliu, me mjekët e Matit dhe Klosit, si dhe postimeve për takimin në faqet zyrtare të ministrive të shoqëruar me hashtagët politikë të PS-së.
Një përfaqësues i kryeministrit prezent në mbledhje kundërshtoi pretendimet e denoncuesit me argumentin se këto ishin takime teknike për planin 2-vjecar të qeverisë për rritjen e pagave.
KQZ shtyu vendimin për rastin dhe disa denoncime të tjera, ndërsa pushoi procedimet administrative për “moskonstatim shkeljeje” për një sërë denoncimesh të tjera të ngjashme që kishin të bënin me përdorimin e burimeve publike për fushatë elektorale nga ana e administratës vendore dhe qendrore.