Sat, Nov 23, 2024

Pako ushqimore në furgon, ndalohen punonjës të Bashkisë së Shkodrës

  • PublishedMay 12, 2023

Dy punonjës të bashkisë Shkodër dhe një person i tretë që ndodhej me ta u ndaluan të premten në mesditë me dyshimet se po shpërndanin pako ushqimore për zgjedhjet.

“Shtetasit P. D. dhe M. V. (punonjës të bashkisë Shkodër), janë shoqëruar në ambientet e Policisë, së bashku me shtetasin E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër, për t’u pyetur në lidhje me këtë rast”, njoftoi policia.

Në pamjet e shpërndara po nga Policia e Shtetit dallohet një furgon në të cilin ndodhet një logo e Bashkisë Shkodër, poster elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kryebashkiakut Bardh Spahia dhe qese të mbushura me vaj, oriz, makarona e salcë domatesh.

Policia thotë se mjeti u ndalua rastësisht për kontroll dhe në të u gjetën 50 pako ushqimore. “Pas verifikimeve ka rezultuar se automjeti ishte në administrim të Drejtorisë Ekonomike të Drejtorisë Arsimore Shkodër”, njoftoi policia.

Të pyetur për një qëndrim zyrtarë të Bashkisë Shkodër thanë se do të prisnin sqarimin e ngjarjes, para se të reagonin.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet e thelluara procedurale dhe hetimore, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.