Sat, Nov 23, 2024

“Patronazhistët të paketojnë plaçkat pas 14 majit”/ “BF” mbyll fushatën në Tiranë, Belind Këlliçi: Hyra në garë i bindur në nevojën për ndryshim

  • PublishedMay 12, 2023

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka mbyllur sot fushatën në Tiranë, kur na ndajnë vetëm pak orë nga heshtja zgjedhore.

Pjesë e takimit në sheshin Nënë Tereza ka qenë edhe kandidati i opozitës për këtë bashki Belind Këlliçi dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Belind Këlliçi u shpreh se ishte i vetëdijshëm që gara për Tiranën mund të mos ishte e barabartë, por ishte njëkohësisht i bindur për nevojën për ndryshim.

Ai ka renditur premtimet e tij për punët që do të bëjë në kryeqytet duke nisur nga autobusi falas për qytetin dhe fshatrat e deri tek rindërtimi i Teatrit Kombëtar.

“Kam hyrë në këtë garë i vetëdijshëm që mund të jetë e pabarabarta, por i vetëdijshëm jam për nevojën e ndryshimit në Tiranë dhe forcën e PD, familjes sime politike.

Beteja të dielën është një arsye shumë e madhe për të bashkuar votat.

Nuk ka të madh e të vogël e të madh në Tiranë që nuk e di se Belind Këlliçi pas 14 majit do e bëjë autobusin falas në qytet e në fshat.

Kur dhashë këtë premtim të mirëmenduar me ekspertët më të mirë të PD gjithkush mendoi si do të bëhej, por kur ka 430 mln euro për inceneratorë fantazmë, nuk dilkan për pensionistët dhe studentët. Paratë nga dheu do i nxjerrë Belind Këlliçi e do e bëjë autobusin falas.

E dini ç’kritikë kam marrë deri tani? Kushton pak më kanë thënë për nënkalimin. Jetojmë në një vend ku rrugët ndërtohen me 24 milionë euro.

Nëse do të kisha thënë 40 mln euro do isha djalë i zgjuar si këto të tjerët.

Nuk do lë njësi në Tiranë pa kopshte shkolla e çerdhe, paratë tuaja nuk do i prek e nuk do i vjedh po do i kthej në shërbime për ju.

Teatri Kombëtar do ndërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte, ky qytet do i kthehet vlerave, identitetit dhe qytetarëve.

Na ndajnë vetëm 48 orë nga largimi i Erion Veliajt nga bashkia e Tiranës.

Karrigia është e përkohshme, fytyra është e përjetshme. Unë fytyrën e kam të përjetshme.

Mesazh për qytetarët që kanë frikë se mos të dielën kontrollohet vota, Belind Këlliçi i përket një gjënerate të lirë, nuk i ndaj punonjësit e administratës të majtë e të djathtë. Por patronazhistët të paketojnë plaçkat se nuk do kenë më punë në bashki pas 14 majit”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.