Sat, Nov 23, 2024

Pensionistë më të varfër dhe deficit më i ulët për skemën e pensioneve

  • PublishedMay 12, 2023

Pensionisti i qytetit në Shqipëri mori një përfitim mesatar prej 18,615 lekësh në vitin 2022, me një rritje të papërfillshme prej 1% në krahasim me përfitimin mesatar të vitit 2021, kur ishte 18,485 lekë, sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të publikuara së fundmi. Afro 481 mijë shqiptarë janë aktualisht pensionistë në skemën e pensioneve urbane. Numri i tyre është rritur me 21 mijë vetë ose 3% në krahasim me vitin 2021. Por për shkak se masa e pensionit nuk është rritur, ndërsa paga minimale referuese për kontribute dhe numri i të punësuarve në vend u rrit, deficiti i përgjithshëm i skemës së pensioneve u ul. [Link raportet e ISSH-së]

Sipas të dhënave të ISSH-së, të ardhurat arritën 133 miliardë lekë, me një rritje prej gati 18%. Shpenzimet arritën në 156 miliardë lekë, me një rritje preh 10.7%. Për rrjedhojë, deficiti i skemës së pensioneve, i cili financohet nga taksimi i përgjithshëm, ra në 23 miliardë lekë në vitin 2022, nga 28 miliardë që ishte në vitin 2021. Rritja e të ardhurave të skemës së pensioneve duket se u shkaktua në një masë të madhe nga rritja efektive e taksave, ndërsa numri i kontribuuesve duket se pati një rol jo aq të madh. Paga minimale zyrtare, mbi të cilën paguhen kontributet për një pjesë të konsiderueshme të të punësuarve, u rrit nga 30 mijë në 34 mijë, ose 13%. Në të njëjtën masë u rrit edhe paga maksimale mbi të cilën llogariten sigurimet shoqërore e shëndetësore, nga 132 mijë, në 150 mijë lekë.

Numri i kontribuuesve në skemë arriti në 756 mijë individë, me një rritje prej 2.4% në krahasim me vitin 2021.

Shqipëria u përball me një krizë të çmimeve gjatë vitit të kaluar, njësoj si pjesa tjetër e botës, krizë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe situata ekonomike botërore e krijuar pas Pandemisë së Koronavirusit të Ri. Inflacioni mesatar ishte 6.7% për vitin 2022, periudhë kur përfitimet mesatare të pesnionistëve urbanë u rritën me 1%. Pensionistët e zonave rurale patën një rritje më të madhe.

Të ardhurat e tyre mesatare u rritën me 7%. Në Shqipëri ka 91 mijë pensionistë ruralë, të ardhurat e të cilëve janë 10,888 lekë në muaj.

Skema e pensioneve në Shqipëri u reformua për herë të fundit në vitin 2015, me rritje të moshës së pensionit dhe ulje të masës së përfitimit. Reforma aktuale përfundon në vitin 2025. Numri i pensionistëve pritet të rritet më tej përgjatë viteve të ardhshme për shkak të strukturës moshore të popullsisë, ndërsa numri i kontribuuesve mbetet në varësi të tregut të punës dhe nivelit të emigrimit mes të rinjve.

 

Masa e përfitimit
2,021 2,022 Ndryshimi %
Pensione urbane Pensione pleqërie 18,485 18,615 1%
Pensione Invaliditeti 16,290 17,204 6%
Pensione Familjare 8,987 9,382 4%
2,021 2,022
Pensione Rurale Pensione pleqërie 10,196 10,888 7%
Pensione Invaliditeti 8,734 8,820 1%
Pensione Familjare 3,055 2,777 -9%

 

Numri i pensionistëve
2021 2022 Ndryshimi %
Totali 566,423 585,809 3%
Pensione urbane Pensione pleqërie 460,214 481,420 5%
Pensione Invaliditeti 62,036 61,348 -1%
Pensione Familjare 44,173 43,041 -3%
Totali 107,390 101,114 Ndryshimi %
Pensione Rurale Pensione pleqërie 96,803 91,316 -6%
Pensione Invaliditeti 6,143 5,819 -5%
Pensione Familjare 4,444 3,979 -10%