Sat, Nov 23, 2024

“Prej të dielës bashkia hapet për qytetarët”, Boçi ironizon Ramën: Njerëzit nuk m’u ankuan për Ferrarit, por për rrugët e ndotjen

  • PublishedMay 12, 2023

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi ka deklaruar se prej të dielës bashkia do të hapet për qytetarët dhe vendimmarrja do jetë në duart e tyre.

Boçi shtoi më tej se gjatë fushatës njerëzit nuk i janë ankuar se nuk kanë ku t’i japin Ferrarit, por janë ankuar për rrugët e dëmtuara, ndotjen, ujërat e zeza, shkollat e kopshtet, ndër të tjera.

Ai vijoi duke thënë se “propaganda boshe e regjimit që ngre vetëm flamuj të kuq tenderësh kudo që shkel ka dalë lakuriq”, ndërsa bëri thirrje që edhe administrata në Elbasan të votojë lirshëm duke shfrytëzuar votimin elektronik në 14 maj.

“Në këtë shesh është mbajtur mitingu i parë i PD-së. Shumë njerëz mendojnë se ky bashkëpunim i yni po i afrohet çastit final. Bashkëbisedimi ynë sapo ka filluar. Prej të dielës bashkia do hapet për qytetarët e saj. Fitorja jonë krijon horizonte të reja për demokracinë. Prej javës tjetër vendimmarrja është prona juaj si kurrë më parë. Unë dua të shpreh mirënjohjen për këto javë të fushatës. Ju keni qenë bindës, të vërtetë dhe imponues. Mësimi kryesor është se e vërteta ka qenë dhe mbetet prona më e çmuar e njerëzve të thjeshtë. Kjo qeveria ju ka zhvlerësuar trojet dhe ju ka vjedhur cilësinë e jetës duke u varfëruar deri në dëshpërim.

E vërteta juaj nuk ka humbur. Zemra e kësaj fushate mbetet e vërteta juaj për ndryshim dhe përparim e siguri. Mijëra më folën për rrugët e pashtruara, askush nuk u ankua se nuk ka ku t’i japë Ferrarit. Rrugët janë të shkatërruara, ndotja nga inceneratori është e madhe. Ujërat e zeza mbulojnë lagjet. Qindra prindër m’u ankuan për shkollat e kopshtet. Dhjetëra nxorën lakuriq propagandën boshe të një regjimi që ngre flamuj të kuq tenderësh kudo që shkel. Zgjidhja jonë nis te bashkimi i qytetarëve, socialistë apo demokratë. Deri sot shqiptarët e kanë përballuar krizën duke u larguar nga vendi. Unë besoj se mund t’i zgjidhim problemet tona sot në Elbasanin tonë.

Ky qytet ka ikur poshtë e më poshtë, jo vetëm majtas. Për një periudhë të shkurtët ka lulëzuar pas rrëzimit të diktaturës. Ju ftoj ta ngjisim bashkinë tonë sërish lart me institucione të vërteta. Administrata e Elbasanit mund të votojë e lirë sepse vota është e fshehtë dhe e pa cenuar. Votimi elektronik është më i sigurt se çdo model i mëparshëm votimi. Elbasani ka çdo arsye sot për të kërkuar cilësi jete. Ka numrin më të madh të personave me ndihmë ekonomike dhe është braktisur”, u shpreh Boçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.