Tensione në Kukës/ “Na ka kërcënuar me armë”, banorët denoncojnë vëllanë e Safet Gjicit. Qytetarët mblidhen para policisë, ja çfarë ndodhi gjatë natës
Bedri dhe Nebi Sinamati banorë të fshatit Bushat kanë denoncuar Lavdrim Gjicin, vëllain e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Kukës Safet Gjici, për presion dhe dhunë deri në nxjerrjen e armës së zjarrit nga shoqëruesi i tij.
Dy kushërinjtë tregojnë edhe rrjedhën e ngjarjes se si janë kërcënuar sapo kanë dalë para shtëpisë së tyre në orët e vona të mbrëmjes.
“Fillimisht dolëm me automjetin tonë nga banesa dhe po shkonim te shtëpia e kushëririt tjetër. Sapo kemi dalë në rrugën e lagjes na është bllokuar rruga nga një automjet. Në vendin e parë të mjetit dallohet qartë se është i ulur Lavdrim Gjici, vëllai i kandidati të PS-ës për Bashkinë Kukës së bashku me një person tjetër”, deklaruan banorët.
Ndërkohë, pas këtij incidenti reagimi i qytetarëve ka qenë i menjëhershëm.
Ata janë grumbulluar para Drejtorisë së Policisë së Kukësit në mbështetje të dy të afërmve të kërcënuar me armë para banesës së tyre.
Është dashur ndërhyrja e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Admir Sinamati për të shtensionuar situatën para Drejtorisë së Policisë Kukës, situatë e cila mund të shkonte në përplasje mes palëve.
Kandidati Admir Sinamati dënoi aktin e shëmtuar të vëllait të kundërshtarit të tij politikë dhe tha se kjo situatë ka ardhur si shkak i tensionimit të gjendjes, presioneve të vazhdueshme, blerjes së votës e deri tek përdorimi i armëve ndaj banorëve nga mbështetësit e familjarët e Safet Gjicit.
Policia ka bërë shoqërimin e mjetit, por edhe të personave të përfshirë në këtë incident zgjedhorë.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–