Zbardhet fletë arresti për kandidatin e Himarës/ “400 mijë lekë për tetë vota”, si ra në pranga Fredi Beleri. Personi i infiltruar mori paratë dhe…
Fredi Beleri është zyrtarisht i arrestuar. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se është prerë urdhër-arresti për Belerin, ndërkohë avokati i tij dha dorëheqjen nga çështja që të dalë dëshmitar në çështje.
Sipas dokumentit zyrtar, Beleri është arrestuar në flagrancë për korrupsion aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
“Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim’, parashikuar nga neni 328 e 25 te K. Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë:
Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më datë 12.05.2023 ora 00:14 minuta në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.
Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtje, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarë do që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim”, thuhet në dokumentin e firmosur nga OPGJ.
Sipas shkresës, i arrestuari deklaroi se “Mbrojtja të bëhet nga një avokat i zgjedhur prej tij konkretisht në prani të avokat Romarjo Meminaj, i cili është i pranishëm”.
HETIMET
Detaje të reja nga arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën Fredi Beleri. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se hetimi ka nisur më datë 8 maj nga prokuroria.
Shtetasi Pandeli Kokaveshi është filmuar duke dhënë 400 mijë lekë për 8 vota. Personi që ka marrë paratë ka qenë i infiltruar nga policia dhe prokuroria. Sipas burimeve, në përgjime dhe vëzhgime del edhe vetë Beleri.
Po kështu mësohet se personi që ka marrë paratë nuk është ndaluar sepse ka qenë i autorizuar nga policia dhe prokuroria.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–