“Ambasadorja greke në Shqipëri e pranishme në sallën e gjyqit të Belerit”/ BIRN: Për opozitën, arrestimi i kandidatit të “BF” me urdhër të Ramës!
Gjykata e Vlorës vendosi të shtunën ta cilësojë të ligjshëm arrestimin e Alfred Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, i akuzuar nga prokuroria për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Gjykatësja Dorina Stroka po ashtu caktoi për Belerin masën e sigurisë arrest në burg dhe transferoi çështjen për kompetencë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Masa e sigurisë për Pandeli Kokoveshin, i arrestuar sëbashku me Belerin do të zhvillohet në një dhomë spitali në Tiranë, pasi ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore.
Sipas prokurorisë Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokoveshi janë filmuar dhe përgjuar duke i ofruar një bashkëpunëtori të drejtësisë para në këmbim të votave. Një burim në dijeni të hetimeve i tha BIRN se Beleri ishte dakordsuar me bashkëpunëtorin për pagesën dhe paratë ai i ka marrë nga Kokoveshi. Të dy u arrestuan të premten pak pas mesnatës, ndërsa prokuroria mori në pyetje edhe disa persona që dyshohet se u janë ofruar para.
Mbrojtja e Belerit dhe kreu i Partisë për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule që e kandidon atë në Himarë, këmbëngulën se arrestimi ishte politik dhe i porositur.
“Jeni dëshmitarë të një procesi parodi. Është një proces i projektuar i motivuar dhe ekzekutuar nën urdhërat dhe porositë e Edi Ramës”, tha Duke për gazetarët. Ai e cilësoi arrestimin pengmarrje dhe shtoi se Beleri do të lirohej nga vota e himariotëve.
Avokati Geni Gjyzari po ashtu e cilësoi të padrejtë vendimin e gjykatës dhe tha se do të priste vlerësimin e Gjykatës së Posaçme që duhet të shqyrtoi transferimin për kompetencë brenda 10 ditësh. Gjyzari këmbënguli se arrestimi ishte politik dhe i montuar dhe se nuk kishte qenë në kushte të flagrancës. Ai tha se çështje nuk i pengonte votimet e të dielës.
Ndërkohë, në gjykatën e Vlorës për të ndjekur seancën ndaj Belerit, i cili është kandidat nga minoriteti grek në Shqipëri, është paraqitur edhe ambasadorja greke në Shqipëri, Konstantina Kamisti, por kjo e fundit nuk ka komentuar për mediat.
Megjithatë pak pas vendimit Ministria e Jashtme greke bëri një reagim sipas të cilit me këtë vendim Shqipëria “praktikisht nuk po ndiqte rrugën drejt Bashkimit Europian”. Më herët për çështjen reaguan kryeministri grek dhe ministri i jashtëm. Krerët e opozitës në Shqipëri po ashtu e kanë cilësuar politik arrestimin e Belerit.
Dhionisios Alfred Petro Beleri është kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garon për mandatin e tij të katërt. I njohur shkurtimisht si Fredi Beleri, ai ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27% të votave.
Beleri sipas policisë është i dënuar më herët me tre vjet burg për “nxitje të urrejtjes nacionale”. Ai është akuzuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste si i përfshirë në atë që njihet si “Masakra e Peshkëpisë” në vitin 1994, kur një grup i armatosur sulmoi një postë kufiri të Shqipërisë duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe plagosur tre të tjerë. Beleri i ka mohuar akuzat dhe ka ngritur padi për shpifje ndaj Taulant Ballës për këtë akuzë./reporter.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–