Sat, Nov 23, 2024

“Gjithçka gati për procesin zgjedhor,”, kreu i KQZ për arrestimin e Belerit: Mbetet në garë, gjërat ndryshojnë vetëm nëse…

  • PublishedMay 13, 2023

Kryekomisioneri i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka folur për procesin zgjedhor vetëm një ditë para nisjes së tij në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Celibashi deklaroi se çdo gjë është përgatitur nga ana e KQZ-së për procesin zgjedhor , ndërsa tregoi se ka pasur problematika me komisionet e qendrave të votimit për shkak të tërheqjeve apo dokumentacionit jo të plotë të paraqitur.

Ai komentoi më tej edhe arrestimin e kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri, duke thënë se nga pikëpamja e ligjit ai mbetet kandidat dhe do mund të votohet ditën e nesërme.

Celibashi shtoi se gjërat mund të ndryshojnë në lidhje me kandidimin e tij vetëm nëse ai dënohet me një vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejon kandidimin nga ligji i dekriminalizimit.

“Është gati çdo gjë nga ana e KQZ-së për të realizuar procesin. Çështja e transportit të bazës materiale ka qenë dhe vazhdon të jetë disi më me stres për KQZ-në. Do duhet ta them që është një ngarkesë e shtuar për ne edhe me votimin elektronik. Kemi edhe problematike me komisionet e qendrave të votimit. Ka komisione ende të paplota për shkak të dokumentacioneve apo tërheqjeve, etj.

Arrestimi i Belerit nuk është aspak një gjë që shkon për mirë. Nuk kam koment pasi kjo lidhet me organet e drejtësisë, por nga pikëpamjet e ligjit ai mbetet kandidat dhe votuesit mund ta votojnë nëse duan. Ai nuk është i ndaluar nga gara edhe pse nuk është fizikisht aty. Gjërat ndryshojnë vetëm nëse ai dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale që nuk lejohet të kandidosh nga ligji i dekriminalizimit.

Ne nuk mund të identifikojmë se kush ka votuar për kë subjekt zgjedhor, fshehtësia e votës është e sigurt 100%. Ne kemi punuar dhe besojmë se do kemi të njëjtën kohë të shpalljes së rezultateve si në vitin 2021, brenda 48 orëve pas mbylljes së votimeve.
Vendimi për të mos regjistruar PD-në si subjekt zgjedhor ishte vendim i vështirë për peshën që mban, por në pikëpamje të ligjit dhe vlerësimit në raport me të mendoj se nuk ishte e vështirë dhe ishte e qartë për mua vendimi që duhej marrë. Njëra prej palëve nuk ishte e kënaqur por kjo nuk e bën vendimin të marrë bazuar mbi interesa politike”, u shpreh Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.