U arrestua për blerje votash, del sot në gjyq kandidati i ‘BF’ për Himarën, në gjykatë dhe ambasadorja greke. Fredi Beleri kërkon masë të butë: Vuaj nga diabeti
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri do të dalë sot para Gjykatës së Vlorës, ku do t’i komunikohet masa e sigurisë. Teksa gjykata është ‘blinduar’ nga forca të shumta policie, kryesisht civilë, në ambientet e saj është parë dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Gazetari Enrik Mehmeti në një lidhje live për News24 raportoi se Beleri ka kërkuar një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti.
Beleri akuzohet për shit-blerjet votash, për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër. Beleri është arrestuar pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.
Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues. Bashkë me Belerin, pas hekurave ka përfunduar dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–