Mospjesëmarrja në zgjedhje shënon një rekord të ri historik
Vetëm 1.25 milionë shqiptarë nga 3.65 milionë shtetas me të drejtë vote ushtruan të drejtën e tyre të votimit të dielën për zgjedhjet për pushtetin vendor, bëhet e ditur nga të dhënat paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi shifrën e pjesëmarrjes në një konferencë për shtyp në orën 8 të mbrëmjes. Pjesëmarrja i referohet vetëm një pjese të qendrave të votimit dhe rezultati final mund të jetë pak më ndryshe.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e pushtetit vendor ka qenë zakonisht më e ulët se sa ajo në zgjedhjet parlamentare, por pjesëmarrja e së dielës shënon një rekord të ri historik. Në zgjedhjet e vitit 2007, pjesëmarrja ishte 46% ndërsa në zgjedhjet e vitit 2011, ishte 51%. Në zgjedhjet e vitit 2021 morën pjesë 47% e votuesve ndërsa në zgjedhjet e vitit 2023, 34%.
Rënia e pjesëmarrjes me 12% në krahasim me vitin 2021, sugjeron rënie me 24% të numrit të votuesve. Kështu, ndërsa në vitin 2021 votuan 1.66 milionë shtetas, në zgjedhjet e sotme votuan 1.25 milionë vetë. Rënia kaq e madhe e numrit të votuesve pritet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore rezultatin zgjedhor të palëve.
Pjesëmarrja në zgjedhje në Shqipëri ndikohet nga shkalla e emigrimit të vendit, por rënia me 400 mijë e numrit të votuesve nga viti 2021, duket se nuk lidhet me emigrimin më shumë se sa me mungesën e dëshirës së votuesve për të zgjedhur mes kandidatëve të të dy palëve. Në të njëjtën kohë që numri i votuesve duket se ka rënë me 400 mijë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është shtuar me 102 mijë vetë.
Në zgjedhjet e së dielës garuan kryesisht kandidatët e Partisë Socialiste me kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë.