Përplasja ku u përfshi edhe i vëllai, reagon Agron Kapllanaj: PS presion me njerëz të armatosur në Mallakastër, policia të ruajë pavarësinë
Kandidati i Partisë Demokratike në Mallakastër, Agron Kapllanaj reagoi pas një sherri ku u përfshi edhe vëllai i tij në zonën e Fratarit.
Në një deklaratë për mediat ai tha se banorët e Mallakastrës gjatë ditës së sotme kanë qenë nën presion nga njerëz të panjohur dhe të armatosur që kanë ardhur në qytet.
Reagimi i Kapllanajt
Zbarkimi i te gjithë drejtorëve, terrori dhe presioni që po synohet nga ata që po ndiejnë humbjen, nuk i tremb mallakastriotët. Gjatë gjithë ditës, qyteti është mbushur me persona të panjohur e të armatosur, të cilët janë përpjekur të ushtrojnë presion ndaj qytetarëve.
Elementë të keqpërdorur nga mazhoranca si Aranit Dautaj, apo djali i administratorit të Njësisë Administrative Fratar, gjatë gjithë kohës provokojnë mbështetësit dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, duke provokuar incidente.
Ne jemi të vendosur për një proces zgjedhor me standarde. Do të referojmë në polici dhe organet e drejtësisë çdo incident, çdo tentativë presioni apo intimidimi. Do të referojmë çdo individ me emër e mbiemër, që me urdhër poltik sillet nëpër qytet me armë në brez, për të shantazhuar apo provokuar situata.
I bëj thirrje policisë së shtetit të ruajë pavarësinë dhe të veprojë me profesionalizëm për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.
Humbja i ka verbuar dhe turbulluar. Ata duhet ta dinë se mallakastriotët as nuk tremben, as nuk blihen, e as nuk shitën.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–