“Bastionet u humbën një nga një”/ Gjekmarkaj flet ‘pa doreza’: Përplasjet e brendshme në opozitë, gjuha ‘e egër’ e përdorur mes tyre lanë në shtëpi mijëra qytetarë
Agron Gjekmarkaj, ka folur pa doreza lidhur me zgjedhjet vendore dhe rezultatet negative të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Gjatë intervistë ne emisionin “Frontline” në News24 Gjekmarkaj tha se PD duhet të shokë tek shoqëria, ndërsa komentoi edhe problematikat e brendshme të opozitës që sipas tij ishin një faktor që çuan opozitën në një situatë zhgënjyese.
“Nëse kemi parasysh shifrat, fitorja e PS është një fitore që ka kaluar kufijtë e çdo pritshmërie. Një befasi për të gjithë dhe një zhgënjim për popullin opozitar. Në PD, ku ka pasur akuza e kundër-akuza, fyerje e sharja deri më 8 janarin që kanë qenë periudha më e errët dhe të gjitha këto lënë gjurmë. Sot kemi dy realitete, që është ai shumicë dhe pakicë i vulës apo zyrtare që quhet rëndom. Elektorati i djathtë ka preferuar ta shfaq lodhjen e vet duke refuzuar disa procese të ndodhura brenda PD. Duket sikur kemi dy organizata brenda saj. Gjatë një viti kemi parë një revansh, një gjuhë të egër, një gjuhë që ka preferuar të trajtojë si të mundur gjatë gjithë kohës pjesën tjetër dhe nuk ka dashur të gjejë një bashkim real dhe pjesë tjetër ka shfaqur papërgjegjshmëri, është tjetër të flasësh në parlament dhe tjetër të bësh politikë në territorin e vendit. PD zyrtare në një vit kohë nuk dha modelin e një opozite të re, u kompleksua. Në fund pati hezitime të mëdha, apo mosqartësime se çfarë do të bëhej për kandidatët. Do të ishte më e ndershme që vula t’i dërgohej shumicës dhe ky grup nëse do të provonte veten mund të organizohej. Në këtë kontekst mund të ishte çliruar më shumë e djathta. Edhe pse duket thirrje mazokiste, partia zyrtare demokratike bëri thirrje të gjendej një kompromis, por duket se zoti Berisha preferoi më shumë një marrëveshje me Metën se sa me atë pjesë. Kjo besoj se ndikoi pak dhe u përdor edhe nga kundërshtarët për të ndikuar në elektoratin e djathtë”, tha Gjekmarkaj.
Humbja katastrofike e opozitës:
Gjekmarkaj: Mjafton të shohësh hartën e rezultateve për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në zgjedhje. Janë humbur qytete që kanë qenë historikisht bastione. Bastionet ranë një e nga një. Ndjen dëshpërimin e distancës me njerëzit që janë të lodhur nga opozita. Njerëzit nuk kanë dëgjuar Edi Ramën, po është gjendja e opozitës gjuha e egër dhe asgjësuese që mendoj ka mbajtur në shtëpi, mijëra e mijëra njerëz.
Përse zgjodhët të mos mbështesni asnjë palë?
Gjekmarkaj: Gjatë kohës së fushatës duke pasur parasysh edhe gjuhën që përdorej mes nesh, duke mos qenë dakord me asnjërën palë, gjykova se çdo që mund të thuhej, një pjesë mund të pëlqente dhe një pjesë jo. Dhe natyra njerëzore pranon dhe kompromisin në këtë rast është heshtja, jo të lash duart , por një lloj pafuqie për t’u përballur me këtë situatë. Unë e kam parë prej kohësh përplasjen e anijeve tona në det, e kam ndjerë në parlament kur bëheshim gazi i botës, një pjesë akuzonte pjesën tjetër si bashkëpunëtorë. Para duhet të përballoje qeverinë dhe nga pas të vinte sulmi mik, dhe kjo është vërtet shqetësuese dhe një tragjedi.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–