Gjobiten pas zgjedhjeve 13 kryebashkiakë për posterat elektoralë
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të hënën që të sanksionojë 13 kryetarë bashkish, pasi nuk kishin zbatuar detyrimin ligjor për përcaktimin e hapësirave publike për propagandën elektorale të partive politike.
Gjoba 5 000 mijë lekë vetëm dy ditë pas zgjedhjeve vendore shkon për kryebashkiakët ende në detyrë; Fran Tuci, Fushë Arrëz; Andis Salla, Cërrik; Safet Gjici, Kukës; Majlinda Qilimi, Delvinë; kryebashkiakun e Hasit, Luiza Mandi, Libohovë; Elton Arbana, Shijak; Dritan Leli, Vlorë; Kreshnik Hajdari, Kuçovë; Bardh Spahia, Shkodër; Mark Babani, Vau Dejës; Eduard Duro, Devoll dhe Fredi Kokoneshi, Divjakë.
Gjatë fushatës ka pasur dhjetra denoncime nga subjektet zgjedhore dhe nga organizatat monitoruese për afishimin e posterave elektoralë në kundërshtim të ligjit, ndërkohë që në shumë bashki nuk ishte zbatuar detyrimi për të afishuar vendet publike të lejuara për propagandë.
Pati ankesa për vendosjen e materialeve propagandistike në godinat e institucioneve shtetërore, pranë Qendrave të Votimit, apo dhe në hapësira të tjera të palejuar nga ligji.
Nisur nga denoncimet dhe ankesat e shumta Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i dërgoi më 25 prill një shkresë 61 bashkive të vendit, lidhur me përcaktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike të fushatës elektorale të subjekteve zgjedhore.
Ai u kërkoi marrjen e masave dhe dërgimin pranë KQZ-së të listës së vendeve të lejuara për afishimin e materialeve propagandistike për fushatën elektorale.
KAS gjithashtu vendosi sanksion administrativ me gjobë në masën 3.000 lekë ndaj ndaj personave përgjegjës për veprimtaritë publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve dhe në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pasi kanë raportuar jashtë afatit ose nuk kanë raportuar veprimtari publike të institucionit në faqen e KQZ-së.