Sat, Nov 23, 2024

Identifikimi elektronik/ Hetim administrativ për mosfunksionimin e aparaturave? Celibashi: Do kërkojmë ndihmën e ekspertëve të huaj

  • PublishedMay 16, 2023

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me mosfunksionimin e pajisjeve për votimin elektronik, që u aplikua për herë të parë në zgjedhjet lokale në 3 bashki, Vorë, Kamzë dhe Elbasan.

Ai u shpreh se ende po pritet dorëzimi i bazës materiale, ndërsa paralajmëroi se për vlerësimin teknik të pajisjeve do kërkohet edhe ndihma e ekspertëve të huaj.

“Akoma pajisjet nuk kanë mbërritur në KQZ. Po presim dorëzimin e bazës dhe materialeve zgjedhore. Me siguri do kërkojmë edhe ekspertë të jashtëm të përfshihen në procesin e vlerësimit teknik të pajisjeve.
Eksperiencat e vendeve të tjera kanë treguar, dështime në implementimin e teknologjisë së informacionit dhe procesi nuk ka pasur këtë kontest që ka pasur këtu”, tha ai.

Celibashi ka komentuar edhe një video të shpërndarë në rrjetet sociale të keqpërdorimit të pajisjeve për votimin elektronik, për të cilat tha se ishin pamje irrituese dhe se KQZ për çdo hap të procesit që nuk ka shkuar mirë do ketë qëndrimet e veta.

“I keqardhur dhe i inatosur kur i kam parë ato pamje, ma dërguan para se të dilnin në rrjetet sociale.
Janë punëtorë të rekrutuar gjatë kësaj kohë, nuk e them për justifikim.
Pamje shumë irrituese. Do ishte e tepërt dhe e panevojshme të them që KQZ për çdo hap të procesit që nuk ka shkuar mirë do ketë qëndrimet e veta. Nuk është cinizëm të them që ai gjest të errësojë e të eklipsojë përpjekjen e ndershme e korrekte të këtij institucioni.

Veprim i dënueshëm edhe në pikëpamje administrative”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.