Sat, Nov 23, 2024

IKMT shkon të prishë hotelin e komisionerit të Belerit, 3 ditë pas zgjedhjeve

  • PublishedMay 17, 2023

Me një kakofoni shkresash dhe vendimesh të marra në 5 dhe 16 maj, të cilat BIRN i ka, dhe me një vendim ende të paqartë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, policia dhe IKMT zbritën në Dhërmi të mërkurën, tre ditë pas zgjedhjeve, dhe i vendosën eksploziv hotelit në pronësi të Foto Stramarko dhe Kristaq Belit.

Hoteli kishte një shtesë leje ndërtimi nga kryebashkiaku aktual Jorgo Goro, por kishte ndërtuar një kat shtesë mbi lejen. Dokumentet e vëna në dispozicion nga familja tregojnë se për shtesën cilën kishte marrë siç del nga shkresat të drejtën për legalizim në 5 maj të këtij viti në mes të fushatës elektorale. Një dokument i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i datës 16 maj konfirmon marrjen e legalizimit. Por një ditë pas këtij dokumenti me një urdhër të IKMT-së fadromat dhe xhenierët minuan godinën mes protestave të familjes.

Pronarët e hotelit u ankuan se vendimi për prishjen ishte një hakmarrje elektorale pasi Fjorentin Beli, numërues i votave për kandidatin e opozitës Alfred Beleri, ishte djali i njërit prej pronarëve dhe ndër administruesit e pronës.  “Përse e bënë këtë se është djali im që shkoi në komision. Se doli djali im dhe se fitoi Beleri”, tha Kristaq Beli i revoltuar. Bashkëshortja e tij fajësoi direkt kryeministrin për vendimin.

I pyetur nga BIRN kryebashkiaku aktual i Himarës tha se bashkia nuk kishte pjesë në vendimmarrje dhe nuk ishte nw dijeni tw vendimeve kontradiktore. Ai mohoi mundësitë që vendimi ishte hakmarrje politike, sipas tij godina ishte pranë një kishe të mbrojtur, por nuk dha emër për objektin.  I pyetur për lejet e dhëna për godinën Goro tha se ai kishte dhënë një shtesë afati leje, por se ata “kishin tejkaluar lejet e ndërtimit”.

Drejtuesi politik i PS-së për Vlorën, Blendi Klosi, nuk iu përgjigj një kërkese për koment. As drejtuesi i IKMT nuk komentoi.

Fjorentin Beli tha se zyrtarisht i është komunikuar nga IKMT-ja se shembja e objektit me eksploziv do të bëhet pasi ky objekt ka një kat të kualifikuar dhe më pas  skualifikuar nga procesi i legalizimit brenda 11 ditësh. “Kur hyri IKMT-ja në Dhërmi na thanë që ishin për Borsh, se atje u votua kundër Goros, por më pas më thanë që ishin drejt për të ne”, tha Beli.