Sat, Nov 23, 2024

“Fitorja u vendos nga vota e të burgosurve”/ “BF” konteston në KQZ rezultatin për bashkitë Belsh dhe Rrogozhinë: Vini në dispozicion pamjet filmike

  • PublishedMay 18, 2023

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi nisi të enjten procesin e certifikimit të rezultateve për zgjedhjet vendore të 14 majit, duke miratuar tabelat përmbledhëse për kryetarët dhe këshillat bashkiakë për bashkitë Rrogozhinë dhe Belsh.

Koalicioni opozitar, “Bashkë Fitojmë” kontestoi pranë KQZ-së rezultatet për të dyja këto bashki ku fitorja e kandidatëve të Partisë Socialiste ka qenë e ngushtë.

Celibashi shpalli kryetar të ri të bashkisë Rrogozhinë Edison Memollën, bazuar mbi tabelat e çdo Qendre Numërimi, pasi KZAZ-ja nr.43 nuk kishte depozituar një tabelë përmbledhëse të rezultatit.

“KZAZ nuk e ka depozituar tabelën përmbledhëse, por kjo tabelë është plotësuar nga KQZ duke pasqyruar rezultatin e çdo kutie mbështetur në tabelat e çdo qendre votimi,” raportoi në mbledhje sekretari i përgjithshëm i KQZ-së, Ylli Merja.

Vendimi u kontestua nga Franci Nuri, përfaqësuesi ligjor i “Bashkë Fitojmë” në KQZ, i cili kërkoi që të vihen në dispozicion pamjet filmike të tavolina të numërimit dhe vendimeve të marra nga komisionerët për lejimin e votimit të zgjedhësve.

“Kjo lidhet me votimin e të burgosurve,” theksoi ai, duke iu referuar përmbysjes së rezultatit në favor të kandidatit socialist të Rrogozhinës nga votat e qendrës së votimit, ku votuan të burgosurit.

Diferenca mes Memollës dhe kandidatit opozitar, Shkëlqim Hoxha është vetëm 30 vota.

Edhe për bashkinë Belsh u shpall fitues kandidati socialist, Arif Tafani, i cili fitoi me një diferencë 130 vota plus kundrejt kandidatit opozitar Bedri Qypi.

Opozita njoftoi se se do ta kontestonte edhe rezultatin e Belshit.

“Kemi një shkresë së KZAZ që nga 7 anëtarë 4 kanë votuar kundër tabelës përmbledhëse dhe e kanë cilësuar mendim pakice, kur ndërkohë janë shumicë,” tha ai, duke shtuar se këta anëtarë kanë pasur arsye ligjore që nuk e kanë firmosur tabelën.

“Ne do të ndjekim hapat e tjerë, do e kundërshtojmë në instanca të tjera tabelën përmbledhëse për të dy rastet,” njoftoi përfaqësuesi i Bashkë Fitojmë në KQZ./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.