Sat, Nov 23, 2024

25 persona nën akuzë për krime zgjedhore pas zgjedhjeve të 14 majit

  • PublishedMay 19, 2023

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të premten se 25 persona janë marrë të pandehur pas kallëzimeve penale për krime zgjedhore në procesin zgjedhor të 14 majit për qeverisjen vendore. Prokuroria tha se ndërsa ishin marrë 31 kallëzime për vepra të ndryshme penale, ishte nisur procdimi për 18 prej tyre, ishte vendosur mosfillimi për tre kallëzime, ndërsa 10 të tjera janë ende në verifikim.

Kallëzimet janë kryesisht për vepra penale të ndodhura ditën e votimeve, si “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Shkelja e fshehtësisë së votimit” apo “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”. Prokuroria po ashtu bëri me dije se kishte marrë kallëzime edhe për akuzat e “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” apo “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Por prokuroria njoftoi se ishin regjistruar dhe kaluar në SPAK edhe 3 rastë të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndër të cila rasti i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Alfred Beleri dhe dy raste në Berat. Nga të gjitha kallëzimet vetëm Beleri është me masë arresti deri në ditën e këtij njoftimi.

“Është caktuar si masë sigurimi “arrest në burg”, për 2 persona nga Prokuroria Vlorë dhe janë kaluar për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 3 procedime penale, 2 nga Prokuroria Berat dhe 1 nga Prokuroria Vlorë”, thuhet në njoftimin Prokuroria e Përgjithshme.

Procedimet penale janë regjistruar kryesisht në Elbasan dhe Berat.  “Prej të cilave 4 në Prokurorinë e Elbasanit, 1 në Prokurorinë e Korçës, 1 në Prokurorinë e Kukësit, 4  në Prokurorinë e Beratit, 1 në Prokurorinë e Fierit, 1 në Prokurorinë e Shkodrës, 1 në Prokurorinë e Vlorës, 2 në Prokurorinë e Gjirokastër, 1 në Prokurorinë e Sarandës dhe 2 në Prokurorinë e Tiranës”, thuhet në njoftim.

Hetimet për krime zgjedhore pavarësisht zhurmës që bëhet për to gjatë fushatës, përfundojnë kryesisht me dënime minimale. Kreu 10 i Kodit Penal mbi “Vepra që prekin zgjedhjet e lira” parashikon dënime që variojnë nga 6 muaj deri në 8 vjet burg, por vendimet e dhëna gjatë dekadës së fundit anojnë në shumicë nga minimumi ligjor. Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, prej vitit 2013 janë dhënë 79 vendime fajësie për krime zgjedhore nga gjykatat e vendit, por vetëm njëri prej tyre, ka një dënim me më shumë se dy vjet burgim.  Për 47 vendime dënimet kanë qenë nën 2 vjet burg, 8 vendime kanë qenë me gjobë, 15 me kufizim të lirisë dhe në 4 raste citohet neni 63 i pezullimit të dënimit. Për 4 vendime të tjera nuk cilësohet dënimi. Rreth 54% e totalit të dënimeve për krime zgjedhore i përkasin vitit 2021; mes të cilave edhe 21 të pandehurit e së ashtuquajturës “Dosja 339” në Durrës.