Debat te ‘Ligjet’/ Çupi: Që prej 13 prillit Kuvendi dhe Komisioni s’kanë punuar, duhet të kërkoni falje! Bushka: Nuk është çështje e rendit të ditës
Ka nisur me debate mes opozitës dhe mazhorancës mbledhja e zhvilluar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve.
Deputetja e PD Dhurata Çupi gjatë fjalës së saj ka theksuar se duhet të sqarohet fakti se përse që prej datës 13 prill Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi nuk kanë ushtruar detyrat.
Nga ana e saj Klotilda Bushka është shprehur se mbledhjet zhvillohen sipas vendimit të konferencës së kryetarëve.
Pjesë nga debati:
Çupi: Ju zonja kryetare, duhet ti shpjegoni qytetarëve, përse komisioni ligjeve nuk punon prej datës 13 prill? Komisioni i ligjeve dhe kuvendi nuk ka ushtruar detyrat për të cilat është votuar dhe është pushtet i pavarur nga ekzekutivi. Është një pushtet i pavarur për tu përfshirë në zgjedhjet vendore. Ato nuk varen nga kuvendi apo komisioni i ligjeve. Duhet të mbani përgjegjësi! Duhet ti njoftoni qytetarët se përse nuk është mbledhur. Agjenda është shumë e ngjeshur. Institucionet e pavarura duhet të japin llogari këtu për veprimtarinë e tyre, pasi ka nga ato që janë përfshirë edhe në fushatë. S’mund të kaloj me kalendare të ngjeshura dhe për të kaluar radhën. E gjithë administrata, të gjithë deputetët kanë qenë të angazhuar në fushatë zgjedhore dhe kjo nuk është normale dhe e lejueshme.
Klotilda Bushka Ferhati: Puna e kuvendit nuk janë vetëm mbledhjet. Por ka dhe një proces të tërë të përgatitjes së akteve. Sa u takon raportimit, institucionet e pavarura kanë detyrim të raportojnë në data të caktuara mes periudhës 31 mars-31 maj, si data më e largët. Ato sjellin raportin, drejtoria e monitorimit lexon dhe studion raportet për relatorët dhe bëhet kalendari unik. Jemi brenda afatit për këtë çështje. Mbledhjet bëhen në përputhje me kalendarin e kuvendit, sipas vendimmarrjes së konferencës së kryetarëve. Edhe ju keni qenë në fushatë, por kjo s’ka penguar kuvendin të bëjë punën e vet. Keni përpara datën e raportimeve, dhe relatorët kanë gati dokumentacionin për dëgjesat përkatëse. Në këtë kuadër, kjo s’ishte për rendin e ditës. Ky ishte sqarimi im.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–