SPAK kërkon 1 vit burg për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK kërkoi të premten më 19 maj deklarimin fajtor të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i akuzuar për fshehje ose deklarim të rremë të pasurive. Prokurorja Doloreza Musabelliu, në përfundim të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, i kërkoi gjykatës dënimin me 1 vit burg të Dedjas dhe pezullimin e këtij dënimi, duke e vendosur në shërbim prove për dy vjet. Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 31 maj, për t’i dhënë kohë mbrojtjes të përgatisë bisedimet përfundimtare.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE, me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait.
Hetimet ndaj Dedjas u nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se kishte në pronësi pasuri të paluajtshme që nuk i justifikonte me burime të ligjshme. SPAK siguroi atëherë në Gjykatën e Posaçme urdhër sekuestroje për një shtëpi me sipërfqe 60 m2 në Golem, në zotërim të Dedjas.