A mund të ketë bashkim të PD me grupin e Berishës? Alibeaj i prerë: E vjetra s’të mban gjatë! Duhet sjellë e reja në podium
Për Enkelejd Alibeajn, PD duhet të shkojë përtej një bashkimi, por të rritet dhe të bazohet në vlerat reale të një partie demokratike.
Në një intervistë të dhënë në News24 për emisionin “Kjo Javë”, Alibeaj u shpreh ndër të tjera se ajo që i duhet partisë më shumë sesa bashkimi, janë idetë.
“Partia duhet të jetë e hapur për këdo që i pranon vlerat e vërteta të një partie demokratike. Mendoj se kjo është jo vetëm mënyra për bashkim por dhe e rritjes. Janë 200 mijë shqiptarë që nuk votuan, sigurisht për këto çarjet tona, dhe që kërkojnë një ofertë edhe më sqimatare. Nuk jam për bashkime artificiale, por na duhen ide”, u shpreh ai.
Por si e sheh veten në vijim dhe drejt 2025 Alibeaj?
“Edhe për mua ka qenë situatë e re ajo që kalova në një vit, dua të kapitalizoj gjithçka pozitive, nëse ka pasur pozitive, por dhe të shoh dhe defektet që kam pasur. E shoh veten të ridimensionuar, dhe ato vlera që unë i besoj do t’u qëndroj deri në fund. E kemi për detyrë që çfarëdolloj shërbimi ndaj demokratëve duhet t’i bëjmë. Besoj se jemi në rrugë të mbarë. Brenda nesh duhet të kemi aftësinë për ta sjellë të renë që është jashtë nesh, në podiumin e PD”, deklaroi ai për gazetaren Nisida Tufa.
Ndërkohë sa i përket humbjes së bastionit të demokratëve, Shkodrës, Alibeaj tha se është pikërisht rasti ku duhet të behët analiza më e thellë për të parë gabimet tek vertja.
“Është keqardhje e madhe. Një bashki si ajo bie në dorë të së majtës që nuk e meriton. Në një vit e ca ka qenë në dorë të Spahisë dhe është ai që duhet të bëjë analizë se përse ndodhi… nuk mohoj dhe përdorimin masiv të instrumenteve që pushteti ka, i kishte dhe vjet. Ndoshta Shkodra është rasti më emblematik për të parë gabimin tek vetja. E vjetra nuk të mban shumë gjatë, dhe në ato që konsiderohen bastione”, pohoi Alibeaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–