Veliaj nis turin e falënderimeve në çdo njësi: Mirënjohje çdo qytetari që na votoi dhe çdo socialisti që kontribuoi. Do bëjmë edhe dy herë më shumë punë!
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj së bashku me kryetaren e Këshillit Bashkiak, Romina Kuko kanë nisur një tur falenderimesh në të gjitha njësitë bashkiake, pas fitores të zgjedhjeve të 14 majit.
Gjatë ndalesës në Lagjen 13, Veliaj tha se ndihet mirënjohës ndaj çdo qytetari që i dha votën atij dhe Partisë Socialiste, duke marrë edhe shumicën në Këshillin Bashkiak, ndërsa nënvizoi se puna do të vijojë pandërprerë me projektet e nisura edhe në këtë njësi.
“Është shumë e rëndësishme që institucionin e mirënjohjes ta kemi po aq të fortë sa institucionin e fitores. Me një mirënjohje të madhe mezi pres që, duke filluar nga java tjetër, të zgjidhim përfundimisht situatën te Kopshti Botanik dhe të vazhdojmë me atë investim. Kemi parë se si Kopshti Zoologjik ia rriti vlerën të gjithë asaj prone. Tani që kemi zgjidhur dhe problematikën e lotit të fundit të shkollave, të vijojmë me dy shkollat e fundit që kemi te Liqeni i Thatë dhe të sigurohemi që, edhe te cepi i Kopshtit Botanik, por dhe te Parku Olimpik, të ngrihen dy shkollat e reja, për t’i provuar çdo skeptiku që nuk i bëjmë për fushatë. Tani që mbaroi fushata do bëjmë dy herë më shumë, thjesht për të garantuar që qytetarët e kanë çuar votën jo te një entuziazëm i momentit elektoral, por te një organizatë, te një ekip, te një parti si partia jonë, që në fakt punon përditë, sikur çdo ditë të jetë dita e fundit e fushatës”, u shpreh Veliaj.
Ai falenderoi edhe çdo anëtar të Partisë Socialiste që ka punuar për këtë fitore.
“Sot është shumë e modës të jesh socialist. Sot është shumë e modës të vish me fitimtarët. Sot është shumë e modës të jesh pjesë e korit të fitores. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Ka qenë një kohë kur ishe socialist dhe rriheshe në mes të sheshit “Skënderbej”. Kur protestoje si ne 21 Janar, vriteshe me plumba në mish. Për të gjithë ata që janë thinjur në shërbim të forcës sonë dhe të familjes sonë, në ditët më të vështira ku nuk ishte e modës, kur nuk ishim shumicë, meritojnë të gjithë duartrokitjet, gjithë urimin, gjithë respektin dhe mirënjohjen tonë. Ne e kemi këtë betejë për mendjen dhe zemrat e njerëzve. Nuk e kemi për sytë dhe për xixat, edhe për fishekzjarret, edhe për ekranet led, edhe për kostot e stadiumit. Ne këtë e kemi për të dhënë njerëzve një mesazh që aty ku disa kanë mbjelle sherr dhe përçarje, ne do mbjellim pemë dhe oksigjen. Doli që vërtetë fushata ishte me kosto të vogël, por me fitore të madhe”, deklaroi më tej Veliaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–