Humbi jetën në një burg në Zvicër/ IML nuk zbulon shkaqet e vdekjes se Briken Hoxhës, mjekoligjorët: S’konstatohen thyerje të kockave
Ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk kanë mundur të përcaktojnë shkakun e vdekjes së Briken Hoxhës, i cili ndërroi jetë mëngjesin e 17 korrikut 2021 në burgun Champ Dollon la Brenaz në Gjenevë të Zvicrës.
Trupi i pajetë i 37-vjeçarit u zhvarros pak javë më parë, bazuar në një vendim të gjykatës së Tiranës, e cila urdhëroi prokurorinë të vijonte hetimet për rastin dhe i la detyra konkrete.
Në dokumentin dorëzuar institucionit të akuzës, ekspertët e mjekësisë ligjore shprehen ndërsa të tjera se “për shkak se ka kaluar kohë e gjatë nuk janë të gjendje të përcaktojnë shkakun e vdekjes.
Ndërsa theksojnë se në eshtrat e Briken Hoxhës, nuk janë konstatuar thyerje, megjithatë janë në pamundësi të përcaktojnë nëse ndaj tij është ushtruar ose jo dhunë, çka mund të ketë sjellë për pasojë edhe vdekjen.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për këtë rast pas kallëzimit të Rafael Hoxhës, babait të 37-vjecarit, i cili pretendonte se i biri nuk kishte asnjë problem shëndetësor, ndërsa ngrinte dyshime për rrethanat e vdekjes së tij në burg.
Disa muaj pas marrjes së këtij kallëzimi, prokuroria kërkoi pushimin e dosjes, por gjykata e ktheu çështjen për rigjykim, përderisa kostatoi se hetimet nuk ishin kryer të plota.
Vdekja e Briken Hoxhës është trajtuar me herët në emisionin “Në shënjestër”, por ende edhe sot nuk ka një përgjigje nga drejtësia, se çfarë ka ndodhur me 37 vjeçarin brenda ambienteve të burgut në Zvicër.
Autoritetet e këtij shteti, nuk i janë përgjigjur deri me tani letër porosisë së dërguar nga prokuroria shqiptare, ku kërkohen të dhëna për rrethanat në të cilat ndërroi jetë i riu shqiptar, ndërsa priste lirimin nga burgu.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–