Sun, Nov 24, 2024

“Bashkë Fitojmë” akuza për manipulim me votat e burgut/ Shifrat në KQZ, kandidatët e PS u votuan masivisht nga të burgosurit në të gjithë vendin

  • PublishedMay 22, 2023

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë dy ankesa të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Belshin dhe Rrogozhinën ku diferenca mes kandidatëve ka qenë shumë e vogël dhe raportet janë përmbysur pas kutive të fundit ku kanë votuar të burgosurit në të dyja zonat.

Në garën për Bashkinë e Belshit Arif Tafani i Partisë Socialiste ka fituar me 41 vota diferencë përballë Bedri Qypit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Ndërkohë, në qendrën e votimit 2565/1 të burgut të Belshit kandidati socialist ka marrë 25 vota, ndërsa kandidati demokrat vetëm 4 vota. Me një llogari të thjeshtë, nga 41 vota që është diferenca mes dy kandidatëve, 21 vota, më shumë Tafani i PS-së i ka marrë vetëm në kutinë e burgut.

Një tjetër bashki që do të duhet të shqyrtohet në KQZ është edhe Rrogozhina ku Edison Memolla i PS-së ka fituar me 30 vota më shumë se Shkëlqim Hoxha i BF-së.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” ishte në avantazh deri në kutinë e fundit me numër 2224/01 që i korrenspondon burgut të Rrogozhinës ku kandidati socialist ka marrë 92 vota, ndërsa kandidati i BF-së vetëm 12 vota.

Nga një vëzhgim i Balkanweb edhe në tetë qendra të tjera votimi në të gjithë vendin ku janë mbajtur zgjedhje, rezulton se kandidatët socialistë janë votuar masivisht.

Tiranë në qendrën e votimit 1690 që i korrenspondon burgut të grave, 45 vota i ka marrë Erion Veliaj dhe vetëm 1 votë Belind Këlliçi.

Ndërsa në burgun 302, që i korrenspondon qendrës së votimit 1967, Veliaj ka marrë 50 vota, Belind Këlliçi 48, Roland Bejko 6, Arlind Qori 4, Lajla Përnaska 2 dhe Marko Dajti 1 votë.

Në qendrën e votimit 0938/02 në burgun e Burrelit kandidati socialist Agron Malaj ka marrë 55 vota ndërsa kandidati i BF-së Skënder Gjuci ka marrë 10 vota.

Të burgosurit në Elbasan kanë votuar gjithashtu platformën e Gledian Llajtjes për qytetin teksa i kanë dhënë atij 58 vota, ndërsa Luçiano Boçi ka marrë 32 vota.

Me një diferencë të thellë ka fituar edhe Bukurosh Maçi i PS-së në qendrën e votimit të burgut të Peqinit kur ka marrë 119 vota, ndërsa Mustafa Pashja ka marrë vetëm 9 vota.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në burgun e Drenovës në Korçë ku kandidati Sotiraq Filo ka marrë 97 vota, ndërsa Ledina Alolli ka marrë 31 vota.

Në burgun e Tepelenës Tërmet Peçi i PS-së ka fituar 65 vota, Baftjar Imeri i BF-së 3 vota ndër Sokol Guga i PD-së 2 vota.

Surpriza nuk ka pasur as në qendrën e votimit në burgun e Shënkollit në Lezhë ku kandidati i PS-së, Pjerin Ndreu ka fituar 82 vota, ndërsa Pashk Gjoni i BF-së ka marrë 33 vota.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.