Sat, Nov 23, 2024

“Me fat që nuk kam luajtur kundër Mesit”, rrëfimi i Maldinit: Leao luante për “Instagram”, ja më të mirët në histori

  • PublishedMay 23, 2023


“Me fat që nuk kam luajtur kundër Mesit”, rrëfimi i Maldinit: Leao luante për “Instagram”, ja më të mirët në histori

23 May, 2023

23 May, 2023

Paolo Maldini e pranoi edhe vetë disa ditë më parë që gjithmonë në jetën e tij ka qenë i rezervuar me mediat. Jo këtë herë, kur në emisionin e këngëtarit të njohur Fedez, është rrëfyer në 360 gardë.

Historia juaj nis në moshë fare të vogël…
Gjithçka prej babait tim që si ish-futbollist e bëri jetën time edhe më të veçantë. Ai ishte pjesë e Milanit në 1963 kur për herë të parë një ekip italian ngrinte trofeun e Kupës së Kampioneve. Për pasojë edhe unë jam shumë i lidhur me Milanon, Milanin dhe gjithçka që ka të bëjë me botën kuqezi. Sa pritshmëri kishte rreth jush e sa ndikonte fakti që ishin ‘djali i Çezares’. Tej mase shumë. Gjithçka që përfaqësoj sot ma ka mësuar familja ime. Që 16 vjeç kam luajtur si profesionist, por isha edhe një adoleshent që donte të jetonte përvojat e moshës. Fakti që kisha një baba të njohur ndikoi shumë siç po ndodh edhe të fëmijët e mi aktualisht. Presioni ishte i madh dhe me thënë të drejtën nuk më ka lejuar të shoh futbollin si lojë gjatë fëmijërisë. Nuk duhet harruar se nga ata që formohen te Milani vetëm 1 për qind ia dalin të bëjnë karrierë në klub.

E kujtoni golin e parë?
Patjetër, por nuk dija si të festoja. Në fakt kujtoj shumicën e ndeshjeve që kam luajtur. Isha vetëm 17 vjeç dhe i shënova Komos në një ndeshje që e fituam. Me atë rast Berluskoni më dhuroi një orë me dedikim. Pak muaj më pas babai ju merr në kombëtaren U-21. Meqë sapo isha bërë maxhoren u duk si herët, por mua më kishin grumbulluar edhe më parë së bashku me Vialin dhe Mançinin. Edhe asokohe pati komente, por që nga ai moment nisa të mos e vras mendjen.

Sa forcë psikologjike duhet në të tilla situata?
Mendësia është thelbësore, sepse lojtarët e talentuar kanë prirjen që të mos jenë të disiplinuar. Me kohën ky aspekt bën që të japësh më pak nga sa mundesh. Këtë ua them edhe djemve tani. Karriera ka ulje e ngritje, ndaj disiplina ka shumë rëndësi për momentet e vështira. Unë pata fatin që u rrita e luajta në të njëjtin vend, por lojtarët të cilëve u duhet të lëvizin për të pasur më shumë mundësi e kanë të vështirë të lëshojnë rrënjë e që disa gjëra t’u thuhen troç.

Më i rëndësishëm talenti apo dashuria për sportin?
Talenti të ndihmon shumë, sepse fundja të gjithë stërviten fizikisht e taktikisht. Disiplina është ajo që bën diferencën sepse po të vini re ka lojtarë që pas dëmtimit nuk janë më ata që ishin.

Çfarë diferencash ka mes Sakit, Ançelotit dhe Kapelos?
Saki nuk ka luajtur futboll kurrë e për pasojë kishte një mënyrë tjetër qasjeje dhe pune. Na masakronte me stërvitje, ndërkohë që përgatitësit atletikë erdhën më vonë. Për shkak të Sakit jam mbistërvitur kur nuk isha ende në mesin e karrierës. Në atë kohë sa isha fejuar dhe nuk kisha as fuqi të darkoja apo drekoja në restorant. Kapelo i ra shkurt duke më thënë se mendonte se isha më i forti në botë dhe e besova, ndërkohë që Ançelotin e pata në momentin më të mirë të karrierës.

Çfarë kujtimesh keni nga Maradona?
Ai dhe Ronaldo braziliani janë më të fortët. Falë Zotit nuk kam luajtur kundër Mesit, ndërsa CR7 është i madh, por mbetet më i vogël se dy të parët. Kur Maradonën e futën në ‘Hall of Fame’ (Shëtitorja e Famës) i kërkova falje për të gjitha goditjet që i kisha dhënë. Më pas edhe Botërori i fundit në 2002-shin… U mbyll keq me ndeshjen me Korenë. E kisha kuptuar që diçka nuk shkonte që kur arbitri refuzoi t’i jepte dorën Tomazit apo kur nuk donin të na linin të futeshim në dhomat e zhveshjes. Në 2006 Lipi më donte në Botëror, por nuk munda pasi dy vjet më herët kisha refuzuar Trapatonin. Sidoqoftë, nuk jam pishman. Gëzova për shokët e mi dhe shkova me makinë për të festuar.

Si e shpjegoni që në futbollin e sotëm nuk ka shumë lojtarë-simbol?
Dikur lojtarët italianë nuk emigronin thuajse kurrë. Fakti është se duhet të jesh ambicioz, por edhe të qëllosh në klubin e duhur. Nuk e di nëse do të kisha bërë të njëjtën karrierë nëse nuk do të isha te Milani.

Si ka mundësi që asnjë klub i huaj në Europë nuk ju kërkoi?
Sepse nuk kam dashur kurrë e po ashtu edhe klubi nuk ka tentuar të më shesë asnjëherë. Zëra ka pasur, por me mua askush nuk ka folur konkretisht përveç Vialit që më donte te Çelsi.

Në sezonin 2008-‘09 gjatë një ndeshjeje kapët Kielinin nga fyti. Ju kujtohet?
Përpara atij momenti më kishte dhënë një goditje me bërryl. E kisha thyer hundën dy herë e nuk doja të më ndodhte përsëri, ndaj goditja e tij më nervozoi. Më pas ndërhyri Bufoni dhe na qetësoi, por në fushë janë gjëra që ndodhin. Gjatë një ndeshjeje tjetër u zgjodha si “Lojtari i Ndeshjes”, por e refuzova çmimin nga turpi, meqë isha ndëshkuar me karton të kuq, pasi kisha goditur me kokë Kaziragin, i cili disa ditë më pas duhej të martohej dhe e bëri me syrin e nxirë. Sidoqoftë, në stërvitje më ndodhte që të humbja toruan edhe më keq.

Si e shihni të ardhmen ekonomike të futbollit?
Deri në 2007-ën Milani ishte një klub i madh. Që nga ajo kohë nisën vështirësitë për të mbajtur ritmin e rivaleve si PSG-ja, Reali apo Junajtidi. Për hir të së vërtetës, sot, një klub si Milani duelon me miliona vetëm me klube që janë në fundin e tabelës në Angli. Ne kemi nga ana jonë vetëm traditën dhe idetë.

Çfarë raporti keni me Berluskonin?
Kur erdhi te Milani na mahniti me projektin e tij. Nuk ishte ende politikan e aq më pak i njohur siç është sot. Me thënë të drejtën patëm ca dyshime, por ardhja e tij e ndryshoi mënyrën e punës së Milanit. Ai ishte metodik dhe kërkonte të kontrollonte gjithçka. Në vitin 1994 na kërkoi titullin, Champions-in dhe kryeministrinë, të cilën mund ta arrinte falë sukseseve tona sportive. Prej 40 vitesh që njihemi nuk më ka folur kurrë për politikë, sepse është një njeri që e ka mendjen te familjet dhe vlerat e gjithsecilit.

Leao ka më shumë shanse të bëhet këngëtar i madh apo futbollist i madh?
Epo një disk e ka bërë. Një herë më pyeti nëse mund të publikonte të premten, ndërkohë që një ditë më pas do të luanim. Unë i them: ‘Çfarë?!’ Më pas më shpjegoi se në muzikë këngët dalin të premteve. Dhe unë i thashë: ‘Pra, nesër duhet të shënosh dy gola’. Leao ka një talent të çmendur. Unë jam një estet falë babait tim dhe Leao është i bukur për t’u parë, është unik. Ai ka atë që duhet për t’u bërë një lojtar i madh. Te Lila nuk luante shumë dhe kur mbërriti te Milani i thashë se luante për “Instagram”-in e tij, sepse postonte video të bukura me driblime dhe finte, por më pas e mbylli sezonin me dy gola të shënuar. E ndihmuam të ndryshojë këtë mentalitet. Dikush kaq i talentuar duhet të punojë edhe më shumë se të tjerët për të shfrytëzuar talentin e tij.

Me Spaletin jeni sqaruar?
Nuk ka nevojë. E bukura e pjekurisë është edhe kjo. Doli një fjali që nuk e thashë (Titullin keni fituar tashmë, ndaj mos më çaj t…). Nuk doja të bëja rrëmujë dhe të bëja zhurmë, në atë moment protagonistët ishin të tjerët dhe jo ne.

Më mirë rinovimi i “San Siro”-s apo një stadium i ri?
Nëse duam të jetojmë në kujtime, le të qëndrojmë në ‘San Siro’. Historinë e bëjnë lojtarët. Është një stadium që ka ndryshuar shumë, nuk është më ai që është ndërtuar 80 vjet më parë. Por a mund të vazhdojmë të jetojmë me kujtimet apo ndërtojmë një stadium të ri modern, i cili na lejon të rrisim të ardhurat? Gjëja që më shqetëson më shumë është se qyteti i Milanos e ka kuptuar këtë gjë, e është e pamundur të mos e shfrytëzosh një mundësi të tillë.

Ju vjen inat që nuk e fituat kurrë “Topin e Artë”?
Nuk jam penduar. Më zemëron që nuk kam fituar një Kupë Bote, për shembull. Më mirë të fitosh një trofe sesa një çmim personal.

Si është raporti i Paolo Maldinit me Interin?
Ka respekt maksimal, por nuk është vetëm imi. Kur Nesta mbërriti nga Lacio, më pyeti se në cilat restorante mund të shkonte dhe në cilat jo, sepse e tillë kishte qenë situata në Romë. I thashë se mund të shkonte ku të donte. Në Milano një antagonizëm të shëndetshëm mes dy skuadrave.

REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

© AlbaniaWeb.net