Sat, Nov 23, 2024

Mori me qira lavazhin dhe e përdorte për shitje droge, arrestohet 32-vjeçari në Mat

  • PublishedMay 23, 2023

Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se ambienti që kishte marrë me qira, një lavazh, e përdorte për të shitur drogë.

Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet L. H., banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin, ndërsa pas hekurave përfundoi dhe punonjësi i këtij biznesi, 39-vjeçari me inicialet J. P.

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lavazhi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Përdorte lavazhin që kishte marrë me qira, për të kamufluar veprimtarinë kriminale që kryente duke shpërndarë kokainë dhe kanabis, kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari. Në pranga dhe një shtetas tjetër që punonte në këtë lavazh.

Procedohet në gjendje të lirë pronari i lavazhit, pasi gjatë operacionit iu gjet një pushkë sportive.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim, doza kokaine, targa automjetesh shqiptare dhe të huaja që dyshohet se 32-vjeçari i përdorte për të kryer veprimtarinë kriminale, duke i vënë në mjete të ndryshme.
Strukturat për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në inteligjencën informative se në një lavazh në unazën e qytetit të Burrelit shpërndaheshin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Lavazhi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
L. H., 32 vjeç, banues në Burrel, i cili kishte marrë me qira lavazhin;
J. P., 39 vjeç, banues në Burrel, punëtor në këtë lavazh.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. N., banues në Burrel, pronari i lavazhit.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit L. H. dhe kontrollit në ambientet e lavazhit që ai kishte marrë me qira, shërbimet e Policisë gjetën dhjetëra doza kanabisi, një sasi kanabisi gati për paketim dhe doza kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 10 targa automjetesh shqiptare dhe të huaja, që dyshohet se shtetasi L. H. i përdorte për automjete të ndryshme, me qëllim që të kamuflonte veprimtarinë kriminale, fishekë për armë gjahu, si dhe një pushkë sportive që i përkiste pronarit të lavazhit, shtetasit Y. N.
Gjatë kontrolit fizik, shtetasit J. P., punëtor në lavazh, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë në doza.
Materialet procedurale do t’i refrohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.