Sat, Nov 23, 2024

Rinumërimi në KAS i kutive të Pukës zbuloi dhjetra vota “fantazëm” të PSD-së së Doshit dhe PDIU-së së Idrizit

  • PublishedMay 24, 2023

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) konstatoi të mërkurën parregullsitë e para të procesit zgjedhor të 14 majit pas rinumërimit të  fletët e votimit në 5 kuti për këshillin e bashkisë Pukë, ku u gjetën vota fiktive për Partinë Socialdemokrate dhe Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Pas rinumërimit të një kutie, që i përkiste Qendrës së Votimit  0425/0, u konstatua se 64 vota që i përkisnin subjektit zgjedhor Partia Republikane ishin llogaritur si vota për Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila në fund të rinumërimit doli me zero vota.

Ndërkohë në Qendrën e Votimit 0415/01 PSD-ja e drejtuar nga Tom Doshi doli me 72 vota fiktive tepër, pasi nga 190 vota që figuronin në tabelën përmbledhëse të miratuar nga KZAZ, në kuti u gjetën vetëm 118 vota për këtë subjekt.

KAS mori vendim për të rihapur këto kuti pas kërkesave ankimore të Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë dhe Partisë Aleanca Progresiste LZHK.

Të dy partitë kundërshtonin vendimin e KZAZ  07 në Bashkinë Pukë, duke kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të vlefshme dhe të pavlefshme dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të Këshillit Bashkiak Pukë, sipas rezultatit të rinumërimit.

KAS pranoi provat e depozituara nga pala ankuese, ku u shfaqen pamjet filmike të numërimit të votave, që tregonin në disa raste votat për Partinë Republikane edhe pse në tabelën përfundimtare ky subjekt figuronte me zero vota.

Nga këqyrja e fletëve të votimit rezultuan dhe disa diferenca të vogla me 1-2 vota që u përkisnin subjekteve të tjera zgjedhore.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi korrigjimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit  për këshillin e bashkisë Pukë, sipas gjetjeve të dala nga këqyja e fletëve të votimit.

Pavarësisht korigjimit PSD e Doshit, vijon të jetë parti e parë në Pukë sa i takon Këshillit Bashkiak. Ajo ka tani 1025 vota dhe 4 këshilltarë, kundrejt 3 këshilltarëve që kanë sëbashku koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Socialiste. Rezultati surprizë, siç del në këtë rast, duket se është ndikuar edhe nga numërimi i pasaktë apo pasqyrimi i votave fiktive në procesverbale.

Partia e Doshit, i sanksionuar nga SHBA për ‘përfshirje në korrupsion madhor’, u rendit e katërta për numrin e votave në këshilla në shkallë vendi, duke e bërë atë me shumë gjasa një nga politikanët më të fuqishëm të vendit.

Gjithshtu, KAS shqyrtoi kërkesën ankimore të Partisë Aleanca Demokristiane e Shqipërisë  që kundërshtonte tabelën përmblëdhese të rezultateve për zgjedhjet e Këshillit të Bashkisë Përmet, por vendosi rrëzimin e kërkesës dhe lënien në fuqi të vendimit të KZAZ-së.