“Tërheqja ime u bë për një interes i madh”, Basha: Nuk ka debat me tallavanë apo me dikë që shpif, shan e sulmon
Lulzim Basha gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me të rinj ka deklaruar se tërheqja e tij nga politika u bë për një interes të madh, që sipas tij ishte për të mos përçarë demokratët dhe për t’i dhënë një mundësi bashkimit të tyre.
Basha vijoi duke thënë se niveli i debatit politik ka rënë masivisht me qëllim nga politikanët, teksa shtoi se nuk mund të ketë debat me “tallavanë” apo “dikë që vetëm shpif, shan e sulmon”.
“Mund t’iu kujtohet që tërheqja para një viti u bë për një interes të madh. Për të mos përçarë demokratët dhe për t’i dhënë një mundësi bashkimit të tyre. Nuk kam hequr dorë kurrë nga përgjegjësia për të mos lënë njerëzit në mes të rrugës dhe atyre që më kanë qëndruar në krah. Vendimi që kam marrë për të mos influencuar rrjedhën e ngjarjeve nuk do të thotë se jam stakuar nga interesi për këtë vend dhe PD-në.
Kjo tërheqje më shërbeu për të parë te vetja ime dhe sa kohë e energji i kam dedikuar luftës që bëjmë me njëri-tjetrin dhe halleve të njerëzve. Kam dalë me një konkluzion se raporti duhet përmbysur. Politika nuk mund të jetë Big Brother. Niveli i debatit politik ka rënë masivisht, e kanë ulur me qëllim. Çfarë mund të debatosh me dikë që vendos tallava, apo me dikë që vetëm shpif shan e sulmon.
Ftesa ime e parë është të ndryshojmë kulturën tonë politike. Mos të besojmë fjalët por veprat. Dua të më besoni se jam serioz për këtë platformë”, u shpreh ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–