“Në Shkodër dhe Durrës votat i more nga aleati yt non-grata”, Bardhi i kthehet Ramës: Je llum! Qëndrimi i PD pro pr/ligjit për pagat
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi nga foltorja e Kuvendit sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa theksoi se votat në Shkodër kreut të PS-së ia dhanë non-gratat, duke ironizuar kështu ish-deputetin Tom Doshi.
Bardhi tha se në vend që Rama të fliste për masakrën elektorale në Kuvend, sulmoi për 35 minuta opozitën. Mes të tjerash Bardhi tha se vota e grupit parlamentar të PD do të jetë pro rritjes së pagave për të gjitha kategoritë.
“Bërë mirë që po ikën. Fole këtu për 35 minuta. Shpjegove rezultatin historik të PS, siç e quajte. Rezultatin e opozitës, por nuk shpjegove dot rezultatin e aleatit tënd, non-grata, Tom Doshi. Se në fakt konkluzioni domethënës i zgjedhjeve të 14 majit është rezultati i aleatit politik i Ramës, në të gjithë Shqipërinë, aleati non-grata të Ramës, Tom Doshi. Ai është thelbi i pushtetit të Ramës. Një këmbë të pushtetit në Durrës ia garantoi Vangjush Dako, një këmbë në Shkodër ia garantoi Tom Doshi, non-grata, për të cilin ai nuk flet. Dhe në vend që të japë llogari për masakrën elektorale, merret me opozitën. Në fakt do të duhet të jepte shpjegime se pse në 10 vite nuk ka sjell në Kuvend asnjë projektligj për rritje pagash edhe pse çmimet janë dyfishuar. Foli për jomoral, por s’ka asgjë pa moral që të rrisësh rrogat e ministrave dhe deputetëve. E pamoralshëm është që të vjedhësh tendera apo të drekosh dhe darkosh me kriminelë. Po të marrim me kë rri ti i bie të jesh pjesë e llumit. S’ka asnjë dyshim që vota e grupit parlamentar të PD-së do të jetë pro sepse jetesa është vështirësuar për çdo punonjës të administratës publike, por ky vendim sot është jo vetëm i vonuar por dhe i pastudiuar.”, tha Bardhi.
Ai shtoi se: “Nuk ka asnjë dyshim që vota e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për këtë projektligj është Pro. Pro me të dyja duart, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë nga rritja e çmimeve. Por për fat të keq, ky vendim sot është shumë i vonuar dhe i pastudiuar. Pse vonë? Sepse emigracioni ka goditur rëndë ekonominë. Ka goditur besoj dhe administratën. Janë larguar burra e gra të të gjitha shtresave dhe të të gjitha moshave. Vini re statistikat. Këto 10 vitet e fundit, gjithmonë largohen akoma më shumë pas një palë zgjedhje, që janë gjithmonë e më të këqija, të mbaruara në tavolinë, pa nisur gara.
•42 mijë shqiptarë u larguan pas zgjedhjeve të vitit 2021.
•180 mijë shqiptarë janë larguar që pas zgjedhjeve të 2017-s.
Është e vërtetë se ka me mijëra dhe nga ata që janë kthyer, por shumë më pak se ata që ikin. Pse vonë? Sepse në 10 vjet, kjo qeveri refuzoi të bëjë një rritje reale pagash, me përjashtim ndoshta të vitit zgjedhor 2017 vetëm për pak kategori. Në 10 buxhete që ky kryeministër ka sjellë në parlament, ju keni refuzuar çdo propozim të Partisë Demokratike për rritje pagash. Ju gënjeni kur thoni se gjetët një grope financiare dhe ju duhej kohë! Sot, do të shpenzohen gati 350 milionë euro për rritjen e pagave, por vetëm për plakat majolike të Rilindjes Urbane në 2014-ën ju shpenzuat 400 milionë euro. Pra, para kishit, por jo për të rritur mirëqenien dhe konsumin e qytetarëve. 11 vite të humbura pa rritur pagat. Më shpejt u kthye Odiseu në Itakë pas lufte, sesa rriti pagat Edi Rama!
Pse është i pastudiuar? Të dashur qytetarë! Të nderuar kolegë. Ktheni memorien vetëm 6 muaj në kohë. Kur në këtë parlament po diskutonim buxhetin, as Edi Rama, as ministrat, as deputetët ë tij nuk folën asnjëherë për rritje rrogash në ketë nivel. Numëroi me pikatore disa para për 2-3 kategori, refuzoi kërkesën e pedagogëve për rritje normale të pagave, me justifikimin se nuk ka parà dhe se ky ishte buxheti i luftës! I luftës që bëhej në Ukrainë, i inflacionit të lartë, i çmimeve stratosferike, i krizës energjetike që nuk ndodhi kurrë. Por për 3 muaj këto u harruan dhe tani del që ne paskemi para për rritjen e pagave. Gati 7-8% e buxhetit të shtetit do të shkojë për rritje pagash dhe sot akoma nuk e dimë se cili është burimi i të ardhurave.
Po çfarë ndodhi në 3 muaj? Zbuluam puse nafte? Zbuluam miniera ari? Asgjë mga këto. Zbuluam që kemi një qeveri e cila i përdor paratë e taksapaguesve shqiptarë sipas nevojave elektorale. Nuk ka asnjë rast në botë, të asnjë qeverie demokratike, që të marrë një vendim të tillë pa e konsultuar me shumë kujdes me shumë faktorë duke marrë më shumë kohë. Rritja e pagave nuk është kurrë surprizë, nuk mbahet kurrë sekret! Dhe askush nga kolegët europianë dhe perëndimorë të Edi Ramës nuk sillet si prestigjiator duke nxjerrë nga kapelja dhuratën e rritjes së pagave para zgjedhjeve.
•Do të ketë rritje taksash për të financuar këtë rritje? Qeveria hesht! Askush nuk thotë asgjë. Por mos vini bast! Edi Rama ndryshe thotë dhe ndryshe bën!
•Do të ketë ulje të informalitetit? As mos e prisni një gjë të tillë. Tatimet do të mbledhin më shumë para? Deri tani nuk ka asnjë përmirësim domethënës që të mbështesë këtë tezë. Për të mos thënë se mbledhja e të ardhurave është përkeqësuar.
•Do të ketë më pak kontrabandë në dogana? Larg qoftë që Edi Rama të prekë anijet kontrabandë të karburanteve të oligarkëve me të cilët ndan pasuritë e vendit.
•Do të ulë korrupsionin nga tenderat fiktivë dhe me fitues të paracaktuar? Mos e dhëntë Zoti as këtë! Partia në pushtet dhe aleatët e saj non grata do të mbeteshin pa financimet e tyre të pista për fushatat e ardhshme elektorale.
Sot është dita që Edi Rama të flasë dhe të thotë ku do të gjenden paratë për rritjen e pagave. Do të ketë rritje taksash, do të ketë shkurtim të investimeve? Do të marrë më shumë borxh për të financuar një lëvizje të drejtë, por të vonuar, të papritur dhe të pastudiuar? Kam vënë re gjatë kësaj periudhe që kryeministri ka marrë përsipër të luajë rolin e shpëtimtarit, të bamirësit, të zemërmadhit. E shtron çështjen e rritjes së pagave si një banirësi që ky po bën me paratë e veta. Në fakt, janë paratë tona, nga taksat që paguajmë dhe nuk marrim asnjë shërbim të saktë mbrapsht. Ka një thënie të famshme, që na kujton gjithnjë se nuk është qeveria ajo që paguan pagat. Është konsumatori ai që i paguan. Qeveria vetëm i menaxhon. Faktet tregojnë se në këto 10 vite, i ka menaxhuar keq.
Me inflacionin në rritje, me çmime të çmendura që nuk bien këtu në Shqipëri as kur bien çmimet në botë, rritja e pagave, ndonëse është lëvizja e duhur, nuk do të ndihet aq shumë nga përfituesit. Ne vazhdojmë të blejmë me çmime shumë të larta, në një treg të deformuar nga oligarkët e qeverisë. Kështu që një pjesë të mirë të rritjes do ta gllabërojë inflacioni dhe çmimet e larta. Pjesën tjetër do ta gllabërojë korrupsioni i qeverisë dhe njerëzit do ta ndiejnë pak ose aspak këtë rritje. Për shkak të korrupsionit, njerëzit do të marrin shërbime me cilësi më të ulët, me çmime më të larta. Ku ka korrupsion, ka varfëri, ka informalitet, ka pasiguri. Është një mashtrim gjigand i Edi Ramës që një rritje e tillë pagash ndodh për herë të parë në Shqipëri. Një mashtrim që i shkon për shtat vetëm kryeministrit tonë
Kur PD erdhi në pushtet në vitin2005, paga mesatare në sektorin publik ishte 268 mijë lekë në muaj. Pra 268 mijë lekë të vjetra në muaj. Pas 8 vitesh qeverisje nga PD, paga mesatare në sektorin publik u rrit në 522 mijë lekë në muaj, pra thuajse u dyfishua. U rrit me 254 mijë lekë ose rreth 95%, megjithëse ishte koha e krizës globale botërore ekonomike. Po rezultati i Edi Ramës? Pa rritjen që miratojmë sot, Edi Rama më 10 vjet e rriti pagën mesatare në shtet vetëm 123 mijë lekë, më pak se 25%. Dhe vetëm në 2025-ën, pra pas 12 vitesh në pushtet, ndoshta do të arrijë të dyfishojë pagat në sektorin publik, që PD e bëri në 8 vjet. E gjithë kjo llogari nuk merr parasysh rritjen reale, që është shumë pak për shkaqet e inflacionit, pra rritjes së çmimeve, keqqeverisjes dhe korrupsionit. Partia Demokratike do ta miratojë sot rritjen e pagave, edhe pse ky është një akt shumë i vonuar, i pastudiuar dhe i bazuar në motive elektorale-politike. Por sot është dita që ne të ngremë zërin edhe për pensionistët. Ata duhet të ishin të parët në vlerësim, por mbeten gjithmonë të fundit. Na thonë se nuk kanë parà! Por parà kanë mjaftueshëm. Duhet që të mos i vjedhin! Mjaft të kujtojmë se vetëm në tubat e sobës së pastrueses së një drejtoreshe të Edi Ramës, u gjetën 500 mijë euro korrupsioni dhe llogaritë janë të qarta si drita e diellit.
Liderët e mirë u shërbejnë njerëzve me paga të mira, me pensione të mira dhe i trajtojnë ata me respekt. Këtu tek ne asnjë nga këto nuk ndodh. Ne na drejton një qeveri e korruptuar, që paguan vetëm për të blerë votën, por jo për të trajtuar njerëzit me respekt dhe dinjitet. Unë e di se kjo qeveri nuk i sheh as pensionistët, as punonjësit e sektorit publik, as profesionistët e lirë, as punonjësit e sektorit privat dhe as studentët si njerëz që duhen shpërblyer për punën e tyre. Në listën e Edi Ramës ata janë numra zgjedhorë, që i duhen vetëm për te bërë llogaritë e pushtetit personal. Prandaj, për rritjen e pensioneve do të dëgjojmë ndoshta afër zgjedhjeve të ardhshme! Është fiks në stilin e Edi Ramës!”
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–